Arbëri

Gjithçka rreth ceremonisë së varrimit të policit Izet Demaj

Me nderime të larta shtetërore i është dhënë lamtumira e fundit policit 42-vjeçar, Izet Demaj, i vrarë pasditen e së enjtes, nga një grabitës në qendër të Istogut.

Ai u varros në varrezat e dëshmorëve në Koshare, vend në të cilin 19 vjet më parë luftoi për lirinë e Kosovës, si pjesëtar i brigadës 138 “Agim Ramadani” të UÇK-së, raporton KTV.

Nën përcjelljen e Gardës Ceremoniale të Policisë së Kosovës, arkivoli me trupin e Demajt u bart nga shtëpia e tij në Vrellë të Istogut për në kompleksin e Koshares.

Qytetarë të shumtë iu bashkuan kortezhit.

Për më shumë se gjysmë ore, familjarë, zyrtarë shtetërorë, kolegë e qytetarë të shumtë bënë homazhe para trupit të policit të ndjerë.

Familjarët, vështirë e përballuan lamtumirën e fundit me Demajn.

Valza Demaj, e vajza e vogël e Izet Demajt, tha se ajo dhe motra e saj do të rriten me shpresën që Kosova të jetë e sigurt.

Kryeministri Ramush Haradinaj, tha se polici Demaj i dha nder shtetit jo vetëm në uniformën e policisë, por edhe si ushtar i lirisë.

Ai shtoi se rasti i Demajt është porosi e qartë që nuk guxojnë kurrë t’i lënë policët vetëm.

Për të nderuar Izet Demaj, e shtuna ka qenë ditë zie në Kosovë.

Demaj ka lënë pas vetes gruan dhe dy vajza.