Në fjalën përfundimtare në rastin ku po rigjykohet, Ekrem Bajroviq, i akuzuar për krime lufte, prokuroria speciale ka kërkuar dënim meritor për të. E mbrojtja ka kërkuar lirimin e Bajroviqit, pasi ka thënë se organi i akuzës nuk ka mundur të dëshmojë se Bajroviqi është fajtor. Paraprakisht, në Gjykatë ka dëshmuar dëshmitari kryesor, Naim Elshani
Në rigjykimin ndaj të akuzuarit për krime lufte, Ekrem Bajroviq, dëshmitari Naim Elshani, ka rrëfyer për vuajtjet e torturat që i ka përjetuar në pranverën e vitit 1999.
Elshani të martën bë Gjykatën Themelore të Prishtinës, ka deklaruar se i akuzuari ka qenë në dijeni për rrahjet dhe torturat në fshatin Saradran.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoAi ka thënë se të pandehurin Bajroviq e ka parë të veshur me uniformë të policisë serbe e me armë të gjata, ditën kur ka ndodhur krimi.
“Veprimet, detyrat nuk i di qysh i kanë pas. E kam parë si milic që ishin duke na rrahur, por nuk na kanë leju me shiku mbrapa. Katër persona më kanë goditur mua me mjete të rënda, shipka, stupca. Më kanë ra me kalash shpinës njani. E Ekremi ka qenë me uniform”, ka thënë dëshmitari Naim Elshani.
Elshani po ashtu ka thënë se i pandehuri Bajroviq ka pasur autoritet e detyra të caktuara në policinë e Serbisë.
Ai ka thënë se kushëririn e tij, Ahmet Elshani, e ka shpëtuar i pandehuri me kombësi boshnjake, meqë gruaja e Ahmetit ishte po ashtu boshnjake dhe ishin fqinjë.
“I pranishëm ka qenë aty, me sytë e mi e kam parë kur e ka liru Ahmet Elshanin, me armë të gjatë e me uniformë të policisë. E kam pa, kur e ka qit prej oborrit, ai ka ecur për në Shqipëri”, ka thënë Naim Elshani.
Sipas tij, pjesëtarë të forcave serbe e kanë qëlluar atë me pushkomitraloz në afërsi prej një metri në nofull.
“Të pandehurin Bajroviq e kam lan te shtëpia e Demë Zeqirit në oborr, ndërsa te shtëpia e Zymer Sadikut s’ka pasë njerëz të gjallë, përpos kufomave. Unë jam pushkatuar, skam ndi dhimtë, por jam kan’ i vdekun”, ka thënë Elshani.
Pas përfundimit të dëshmisë se dëshmitarit Elshani, Gjykata ka konstatuar se nuk ka dëshmitarë të tjerë për t’u dëgjuar për këtë rast e më pas në fjalën përfundimtare,
Prokurori special, Ilir Morina, i ka kërkuar Gjykatës, që i pandehuri Bajroviq të dënohet sipas ligjit.
“Mbes në tërësi pranë fjalës përfundimtare nga seanca e fundit. Kërkoj që i pandehuri të shpallet fajtor sipas ligjit”, ka thënë Morina.
Ndërsa mbrojtësi i të akuzuarit Bajroviq, avokati Ljubomir Pantoviq, ka kërkuar lirimin e tij, duke thënë se dëshmia e Elshanit nuk ka sjell asgjë të re.
Në korrik të vitit 2024, Gjykata Themelore në Prishtinë e ka dënuar me 12 vjet burgim Bajroviqin, i akuzuar për krime lufte në Saradran të Istogut.
Sipas aktakuzës, Bajroviqi bashkë me pjesëtarë të tjerë të policisë serbe i kanë nxjerrë burrat civilë shqiptarë nga kolona dhe në shtëpinë e Demë Zeqirit i kanë keqtrajtuar dhe më pas i kanë vrarë 15 prej tyre.
Por, Supremja e pati kthyer rastin në rigjykim, duke arsyetuar vendimin e saj se disa prej dëshmitarëve, në shqyrtim gjyqësor kishin deklaruar se për këtë çështje kanë dhënë deklaratë edhe në UNMIK e EULEX-it, e të cilat nuk gjenden në shkresat e lëndës.
Shpallja e aktgjykimit pritet të jepet të premten.