Arbëri

Gjyqtari “problematik” më 2018 mori 71 vota në Kuvend dhe dekretin e presidentit

Ndonëse i dënuar e në kërkim nga autoritetet e Serbisë, gjyqtari serb Radomir Laban pati marrë mbështetjen e shumicës së deputetëve të Kuvendit të Kosovës shtatë vjet më parë. Kërkesat për anulim të zgjedhjes së tij si gjyqtar i Kushtetueses u patën injoruar edhe nga presidenti i asaj kohe, Hashim Thaçi

Tërheqja e presidentes Vjosa Osmani nga kërkesa drejtuar Gjykatës Kushtetuese ka kthyer gjithë vëmendjen te gjyqtari serb Radomir Laban.

Osmani vendimin për tërheqje e ka arsyetuar me rrezikun që, sipas saj, paraqiste për rendin kushtetues e sigurinë kombëtare, trajtimi i kërkesës nga gjyqtari Laban.

Por Laban ka vite që shërben në Kushtetuese dhe për t’u bërë pjesë e këtij institucioni ka marrë mbështetjen e 71 deputetëve të Kuvendit më 2018.

Më pas qe dekretuar edhe nga presidenti i asaj kohe, Hashim Thaçi, ndonëse ishte i dënuar nga autoritetet në Serbi.

Laban, një ish-zyrtar i doganave në Serbi, ishte dënuar më 2012 me gjashtë vjet burgim, si pjesë e një grupi prej shtatë doganierësh dhe dhjetë afaristësh të akuzuar për kontrabandë milionëshe. Të gjithë ishin arrestuar në vitin 2006. E pas shpalljes së aktgjykimit, Laban i ishte shmangur vuajtjes së dënimit duke ikur në Kosovë.

Një vit para se të emërohej gjyqtar, Serbia pati kërkuar nga EULEX-i arrestimin e Labanit, por kërkesa ishte refuzua nga misioni evropian me arsyetimin se nuk ka mandat për një gjë të tillë.

Kundër dekretimit të Labanit nga Thaçi, shtatë vjet më parë ishin shprehur edhe nga Lëvizja Vetëvendosje, atëkohë në opozitë, dhe nga Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut.

Pak ditë pas votimit të Kuvendit, VV-ja përmes një letre drejtuar ish-presidentit Thaçi pati kërkuar mosdekretimin e Labanit me arsyetimin se do të bëhej shkelje e Kushtetutës e do të degradohej Gjykata Kushtetuese.

Kurse KMDLNJ-ja pati kërkuar verifikimin e së kaluarës së Labanit para dekretimit të tij si gjyqtar në Kushtetuese.

E në qershor të vitit 2021, KOHA ka raportuar se si ndaj Labanit kanë nisur hetimet mbi dyshimet për ushtrim presioni mbi votuesit në komunat veriore, të banuara kryesisht me serbë, për llogari të interesave të Listës Serbe në zgjedhjet e 14 shkurtit të atij viti.

Të mërkurën kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka thënë se për veprimtarinë e Labanit ka qenë i informuar që nga viti 2018, kur pati aplikuar për t`u bërë gjyqtar i Kushtetueses.

“Fatkeqësisht as presidenti i atëhershëm në vitin 2018, as kryetarja e Gjykatës Kushtetuese e atëhershme nuk e kanë parë të arsyeshme që ta ndalin një proces të tillë, sepse është absurde që dikush, i cili sipas informacioneve që kemi nga institucionet tona të sigurisë është i papërshtatshëm dhe rrezik për rendin tonë kushtetues, tash të gjykojë mbi një çështje kushtetuese”, ka thënë Kurti.

Sipas biografisë të publikuar në faqen zyrtare të Kushtetueses, para se të emërohej gjyqtar, Labani ka punuar si këshilltar i lartë juridik në Gjykatë e ka shërbyer edhe si zv.këshilltar i parë juridik.

Deri në fund të mandatit si gjyqtar në Kushtetuese, Labani ka edhe dy vjet.

Kërkesa e presidentes Osmani drejtuar Kushtetueses më 22 korrik, tashmë e tërhequr, kishte të bënte me saktësim të pasojave të shkaktuara nga moskonstituimi i Kuvendit.