Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS) ka mbajtur sot një konferencë për media lidhur me zbatimin e Agjendës së Reformave në kuadër të Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor, duke paralajmëruar pasoja serioze financiare për Kosovën si pasojë e vonesave në reforma dhe mungesës së zbatimit institucional.
Sipas GLPS-së, 30 qershori shënon përfundimin e semestrit të katërt të Planit të Rritjes dhe njëkohësisht edhe përfundimin e periudhës së mundësisë për shmangien e humbjeve financiare. Nga kjo datë, sipas organizatës, vonesat nuk konsiderohen më thjesht vonesa në ekzekutimin e fondeve, por rrezikojnë të kthehen në humbje të pakthyeshme financiare.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoNë fokus të diskutimit janë 90.6 milionë euro të dedikuara për semestrin e dytë të Planit të Rritjes, me afat përfundimtar deri më 30 qershor 2025. Pas këtij afati, ka nisur një periudhë njëvjeçare e ashtuquajtur “grejs”, gjatë së cilës institucionet e Kosovës kishin mundësi të plotësonin 13 hapat reformues të paraparë për këtë periudhë. Megjithatë, me përfundimin e kësaj periudhe, GLPS thekson se pasojat financiare tashmë janë të konsiderueshme dhe potencialisht të pakthyeshme, ndërsa pritet qartësim i shumës së fondeve të humbura.
GLPS-ja vlerëson se ky proces nuk përbën vetëm çështje teknike apo administrative, por çështje të drejtpërdrejtë të interesit publik. Sipas tyre, çdo euro e humbur nënkupton më pak investime në ekonomi, më pak mbështetje për reforma, kufizim të mundësive zhvillimore dhe cenim të besueshmërisë së Kosovës në procesin e integrimit evropian.
Organizata rikujtoi se kishte paralajmëruar këtë skenar që më 2 maj 2025, duke bërë thirrje për ratifikimin e marrëveshjeve dhe zbatimin e koordinuar të Agjendës së Reformave. Sipas GLPS-së, në atë kohë institucionet kishin mohuar mundësinë e humbjeve financiare, ndërsa zhvillimet e mëvonshme, sipas tyre, kanë konfirmuar rreziqet e paralajmëruara.
GLPS-ja thekson gjithashtu se Plani i Rritjes është ndikuar ndjeshëm nga mungesa e konsensusit politik dhe mosfunksionalizimi i plotë institucional, duke penguar zbatimin e një numri të konsiderueshëm reformash të domosdoshme.
Pas publikimit të raporteve zyrtare nga Qeveria e Kosovës dhe Bashkimi Evropian, pritet të bëhet e qartë shkalla e fondeve të zhbllokuara, fondet e rrezikuara për humbje, si dhe reformat e papërmbushura.
Në fund, GLPS ka rikujtuar një sërë rekomandimesh për përshpejtimin e zbatimit të reformave, përfshirë krijimin e një task-force të dedikuar, prioritizimin e masave reformuese dhe përgatitjen e listës së ligjeve me prioritet, duke theksuar nevojën për konsultime të rregullta dhe ruajtjen e cilësisë legjislative.
Sipas GLPS-së, formimi dhe koordinimi i qëndrueshëm institucional mbetet kusht kyç për sigurimin e përfitimeve nga Plani i Rritjes, ndërsa çdo vonesë shtesë mund të ketë pasoja të drejtpërdrejta në zhvillimin ekonomik dhe institucional të vendit.
GLPS u ka bërë thirrje institucioneve përgjegjëse që çështja të trajtohet me seriozitet të plotë, duke theksuar se përgjegjësia publike matet me mbrojtjen e interesit zhvillimor dhe financiar të qytetarëve të Kosovës.