Arbëri

Grafite kërcënuese ndaj Kurtit në veri

Grafite kërcënuese ndaj Kurtit në veri

Fotot: Grupi "Korridor" në Telegram

Grafitë kërcënuese ndaj kryeministrit në detyrë Albin Kurti janë shfaqur në veri të martën në mbrëmje. Në Mitrovicë të Veriut, konkretisht në rrugën “Vasilije Ostrovski”, Policia e Kosovës ka konfirmuar një grafit të shkruar në një mur në gjuhën serbe dhe me shkronja cirilike.

Nëse përkthehet dhe përshtatet në gjuhën shqipe, i bie: “Kur në Kosovë do të agojë, Albin Kurti më s’do të rrojë!”

Rastin e ka konfirmuar zëvendësdrejtori i Policisë për rajonin e veriut, Veton Elshani.

“Mbrëmë pas orës 21:00 në rrugën “Vasilije Ostrovski” në Mitrovicë të Veriut, në mur është shkruar një shkrim adresuar kryeministrit Albin Kurti. Pas konsultimit me prokurorin kujdestar rasti është inicuar si “Kanosje”. Nuk ka të dyshuar e as të arrestuar. Shkrimi i njëjtë me pamje grafike ishte vendosur më herët në rrjetin social Telegram”, thuhet në përgjigjen e Elshanit për KOHËN.

Fotografia e grafitit është shpërndarë në rrjetin social Telegram, në grupin famëkeq “korrdiori”.