Edhe pse Ministria e Shëndetësisë raporton mijëra vizita për fëmijët e moshës deri në 3 vjeç, disa prindër janë ankuar se foshnjat e tyre nuk janë vizituar asnjëherë nga ekipet mobile. Sipas tyre, programi i vizitave në shtëpi nuk po i përfshin rastet kur lindjet kryhen në institucione private. E në Ministri kanë mohuar se këto vizita nuk realizohen
Saktësisht 11 mijë e 826 vizita për fëmijë të moshës deri në 3 vjeç janë realizuar nga ekipet mobile shëndetësore sivjet, por disa çifte që këtë vit u bënë prindër janë ankuar se foshnjat e tyre, nuk janë vizituar asnjëherë në shtëpi.
Një nënë nga Komuna e Podujevës, në kushte anonimiteti, ka treguar se foshnja e saj ka arritur moshën 4-muajshe, por vizitat në shtëpi kanë munguar.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo“Unë kam lindur në shkurt në institucion privat, por fëmijën e kemi regjistruar në QKUK. Kam dëgjuar për këto vizita të cilat do të ishin të mirëseardhura edhe për mua si nënë për herë të parë. Por te ne nuk kanë ardhur. Nuk e dimë arsyen. Ndërkaq te një familjare e imja që ka lindur vitin e kaluar, po. Tashmë kanë qenë dy herë në vizitë”, ka thënë ajo.
Një grua nga Ferizaj, që po ashtu ka kryer lindjen në një nga spitalet private, ka deklaruar se foshnja i ka mbushur 6 muaj dhe vizitë në shtëpi nuk i është bërë.
“Unë kam lindur në privat. Te unë nuk kanë ardhur për vizite pas lindjes. Tash foshnja i ka gjashtë muaj. E me sa kam kuptuar, të dhënat s’po ua japin me rregull spitalet private. Se e kam pyet dikë”, ka thënë kjo nënë e një foshnje 6-muajshe.
Sipas programit të Ministrisë, vizita e parë duhet bërë në ditët e para pas lindjes, kurse ajo pasuese mes muajit të katërt dhe të gjashtë.
Në Ministrinë e Shëndetësisë kanë thënë se programi për vizita në shtëpi për nëna dhe fëmijë deri në 3 vjeç përfshin të gjithë fëmijët, pavarësisht nëse kanë lindur në institucione shëndetësore publike apo private.
Në përgjigje, nga Ministria nuk kanë treguar se si sigurohen të dhënat kur lindjet kryhen në institucione private.
“Listat e të porsalindurve sigurohen nga SHSKUK-ja në rastet kur lindjet kryhen në Klinikën e Gjinekologjisë dhe Spitalet e Përgjithshme. Kurse institucionet e Kujdesit Parësor Shëndetësor (KPSh) vizitat realizohen nga ekipi i QKMF-së përkatëse. Të gjitha nënat dhe fëmijët, pavarësisht institucionit ku është kryer lindja, përfshihen në programin e vizitave në shtëpi”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Shëndetësisë.
Në Ministri kanë përmendur disa nga sfidat që ndikojnë në realizimin e plotë të vizitave në terren.
“Rastet e vetme kur një nënë ose fëmijë nuk përfshihet në kohë janë ato kur informatat për lindjen nuk janë siguruar me kohë dhe fëmija e ka tejkaluar moshën e paraparë për përfshirje në program (mbi 3 vjeç). Megjithatë, koordinatorët realizojnë vizitën në momentin e parë kur njoftohen për rastin, edhe nëse fëmija është në moshën 1, 2 ose 3 vjeç. Sfidat kryesore që ndikojnë në realizimin e vizitave përfshijnë: numrat e pasaktë të telefonit që pamundësojnë kontaktimin e familjeve, migrimin e brendshëm dhe ndryshimin e vendbanimit, regjistrimin e adresës në një komunë ndërkohë që familja banon në një komunë tjetër, refuzimin e vizitave nga prindërit, si dhe pamundësinë për koordinimin e orarit të vizitave për shkak të angazhimeve të prindërve”, thuhet në përgjigje
Gjatë vitit 2025 u realizuan 35 mijë e 170 vizita në shtëpi, prej tyre 31 mijë e 434 për fëmijët e moshës 0–3 vjeç, ndërsa 3 mijë e 736 për gratë shtatzëna.
Sipas Ministrisë, ky program zbatohet në 30 komuna dhe parasheh dy vizita për nënën gjatë shtatzënisë, pesë vizita për fëmijën deri në moshën tre vjeçe, e po ashtu edhe vizita shtesë sipas nevojës.
Numri i infermierëve të angazhuar në zbatimin e programit të vizitave në shtëpi gjatë vitit 2025 ishte 331, ndërsa gjatë vitit 2026 janë angazhuar 1 mijë e 132 infermierë.