Arbëri

Gripi sezonal si Covid-19

Është rritur fluksi i pacientëve që kërkojnë ndihmë shëndetësore, shkaku i gripit sezonal. Mjekët thanë se sivjet gripi është manifestuar me simptoma më të rënda, dhe ngjason me Covid-19. E, në Klinikën e mushkërive konfirmuan se është rritur numri i pacientëve që kanë pasur nevojë për hospitalizim

Javëve të fundit është rritur numri i pacientëve me simptoma të gripit sezonal, të cilët janë drejtuar në Qendrat e Mjekësisë Familjare për të kërkuar trajtim mjekësor.

Doktoresha Hedije Kabashi-Buliqi tregoi të shtunën se në QMF 1 në kryeqytet, vetëm gjatë ndërrimit të saj, ajo kontrollon rreth 50 pacientë në ditë me simptoma gripoze.

“Rastet janë shumë në shtim e sipër, zakonisht te fëmijët dhe te të moshuarit është shumë evident gripi edhe është në formën më të rëndë manifestohet”, ka thënë ajo.

Sipas doktoreshës Kabashi-Buliqi, gripi është duke u shfaqur në forma më të rënda.

“Sivjet e vërejmë që është forma shumë e rëndë e gripit, thuaja ngjason sikur Covid 19. Di edhe me u kompliku”, ka thënë kjo doktoreshë. “Kur vjen deri te komplikimi, domethënë prej gjendjes viroze kalon në bakteriale, atëherë duhet me iu dhënë antibiotikë, qoftë në formë të infuzioneve, në formë të ampulave, tabletave”.

Edhe Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik ka njoftuar për rritje të ndjeshme të rasteve me grip dhe infeksione respiratore, si dhe për numrin në rritje të pacientëve që kërkojnë ndihmë mjekësore dhe hospitalizim.

Kjo situatë është konfirmuar edhe në Klinikën e Pulmologjisë.

“Gjatë javëve të fundit kemi vërejtur një rritje të dukshme të infeksioneve respiratore, përfshirë raste me pneumoni si dhe përkeqësime të sëmundjeve kronike të mushkërive. Kjo situatë lidhet ngushtë me shtimin e virozave respiratore sezonale. Si pasojë, është rritur numri i vizitave ambulantore, por edhe numri i pacientëve që kanë pasur nevojë për hospitalizim, veçanërisht tek grupet më të rrezikuara”, ka thënë Besim Morina, ushtrues detyre i drejtorit të Klinikës së Pulmologjisë.

E në Klinikën Infektive thanë se për momentin nuk ka fluks të madh të pacientëve, por dhanë këshilla për kujdes dhe trajtim.

“Trajtimi duhet të jetë simptomatik, analgjetikë-antipiretikë, lëngje, rehidrim, regjim shtrati, ndërsa rastet që komplikohen me baktere, në një terren me imunitet të ulur, trajtohen me antibiotikë. Këshilla mjekësor: qëndrim sa më i reduktuar në ambiente të mbyllura, pemë, perime, lëngje, ndërsa vaksinimi mbetet thirrja jonë e përhershme”, ka thënë Vera Berisha-Ndrejaj, drejtoreshë e Klinikës Infektive.

Thirrje për vaksinim kundër gripit sezonal, si masë efektive për parandalimin e sëmundjes dhe komplikimeve të saj, ka bërë edhe Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik.

“Edhe pse sezoni i gripit ka filluar, vaksinimi është ende i dobishëm, pasi pritet që përhapja e gripit të intensifikohet gjatë muajve të ardhshëm. Vaksinimi ndihmon në uljen e rrezikut të formave të rënda të sëmundjes, si dhe në mbrojtjen e grupeve më të rrezikuara, përfshirë të moshuarit, fëmijët, personat me sëmundje kronike, si dhe të gjithë personat nga mosha 6 muaj e lart që dëshirojnë të mbrohen nga gripi dhe komplikimet e tij”, thuhet në njoftimin e Institutit.

Për këtë sezon janë siguruar 85 mijë doza të vaksinave kundër gripit sezonal, ndërsa IKSHPK-ja ka njoftuar se deri tani janë dhënë mbi 50 mijë doza.