Depresive e ka quajtur ambasadori gjerman në Kosovë, Jorn Rohde, dështimin për të 33 herë me radhë të konstituimit të Kuvendit të Kosovës.
Diplomati gjerman tha se për të është zhgënjyese të mos ketë institucione funksionale, derisa tha se Kosova nuk e ka luksin për një ngecje të tillë.
“Që të jem i sinqertë, për mua më duket me të vërtetë depresive, për kandidaten, për reputacionin e vetë Kuvendit. Shumë depresive për gjithë popullatën që ka votuar,” tha ndër të tjera ai, për "RTK Prime".
Rohde përmendi nevojën për kompromis.
“Nevoja është kompromisi dhe nëse secili e thotë ‘vetëm unë kam të drejtë’, në parim është në rregull kjo gjë, por që në politikë duhet kompromisi, duhet zgjidhja”, derisa e përmendi rastin e Gjermanisë që tha se, për hir të vendit, u formua koalicioni shpejt, ndonëse nuk ishte lehtë. “Pas përpjekjes së parë të zgjedhjes së kryeministrit, pas tri orësh e gjetëm zgjidhjen e problemit. E themi, më së pari shteti, pastaj partitë politike,” nënvizoi ai.
Ndërkohë, ambasadori i Francës në Kosovë, Olivier Guerot, situatën e quajti frustuese.
“Nëse ka një këshillë prej nesh për të bërë kompromisin, sigurisht që po. Kompromisi është zgjidhja, edhe për të zgjidhur çështjet e mbetura sa i përket negociatave me Serbinë, gjithsesi që duhet njëlloj diskutimi e mirëkuptimi midis partive politike të Kosovës, pikë së pari, dhe po, për hir të këtij vendi do të ishte shumë më mirë,” deklaroi ambasadori francez në RTK Prime.
Të dy diplomatët përmendën pasojat e Kosovës në aspektin ekonomik e politik si shkak i mungesës së institucioneve të dala nga zgjedhjet.
“Kosova është vend i pavarur, sovran, duhet të bëjë punët e veta vetë, ndërsa ne thjeshtë mund të nënvizojmë pasojat e mosveprimit. Janë fondet e rritjes së BE-së, nuk mund të miratohen ato nëse nuk ka parlament. Nëse Kosova nuk vepron, thjesht do t’i ikin zhvillimet,” tha Rohde.
Ndërsa, Guerot potencoi se ekziston vullnet, sipas tij, goxha i mirë në Bruksel e vendet anëtare që Kosova ekonomikisht, politikisht, ndërkombëtarisht të përfitojë.
Guerot tha se Kosova ka shumë miq e nuk është aspak e izoluar, përveç sipas tij, nëse e izolon vetën përmes mungesës së dialogut ose vullnetit politik.
Guerot: Rruga drejt NATO-s e BE-së, përmes themelimit të Asociacionit
Ambasadori francez në Kosovë, Olivier Guerot, në “RTK Prime”, theksoi se rruga e Kosovës drejt NATO-s dhe BE-së do të kalojë përmes themelimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
Ai tha se Asociacioni është pjesë e marrëveshjeve që nga viti 2013 dhe se kjo është ritheksuar edhe në marrëveshjen e Ohrit. Sipas tij, themelimi i Asociacionit do të ishte një shenjë konkrete e vullnetit të Kosovës për t’i përmbushur zotimet e saja ndërkombëtare.
“Kur them nuk do të shpikim edhe njëherë rrotën, ekziston ajo që quhet ‘elefanti në dhomë’, është ky Asociacioni që lihet disi anash. Mënyra ose rruga drejt NATO-s e BE-së do të shkojë përmes themelimit të këtij Asociacioni. Do të ishte ç’orientuese që të pretendonim që ky fakt mund të lihet anash. Asociacioni është pjesë e marrëveshjeve që nga viti 2013 e tutje dhe pastaj është ritheksuar edhe në marrëveshjen e Ohrit apo përmendur aty. Gjithsesi, që duhet themeluar, po, dhe do të jetë një shenjë krejt konkrete e vullnetit të Kosovës që t’i përmbushë zotimet e veta. BE-ja ka bërë një lloj përpjekje që të hartojë një lloj statuti që është në përputhje me Kushtetutën, dhe nëse ka dikush që mund ta thotë që është në pajtueshmëri me Kushtetutën ose jo, është Gjykata Kushtetuese, kështu që sugjerimi ynë ka qenë që, testojeni këtë statut”, theksoi Guerot.
Edhe ambasadori gjerman, Jorn Rohde, deklaroi se Asociacioni ka qenë obligim për Kosovën që nga viti 2013 dhe theksoi se të gjithë kryeministrat prej atëherë nuk kanë bërë mjaftueshëm për ta zgjidhur këtë çështje.
“Kemi parë disa përpjekje për të sjellë propozime në tryezë, tanimë kemi një propozim evropian që përkrahet nga 27 shtete anëtare. E vetmja sfidë për ne është që të ecim përpara. Thjesht dërgojeni në Gjykatë Kushtetuese dhe nëse është në mospërputhje me Kushtetutën, nuk ka të bëjë fare me Serbinë, kjo është Gjykata Kushtetuese e Kosovës që do ta trajtojë këtë gjë. Por që ka mosveprim e mosveprimi ka pasoja e që nuk janë aspak pozitive”, theksoi Rohde.
Ambasadorët nuk deshën të komentojnë deklaratën e presidentit amerikan Donald Trump, i cili tha se gjatë mandatit të tij kishte parandaluar një konflikt mes Kosovës dhe Serbisë.
“E kam parë deklaratën e Trumpit, nuk jam në situatë të komentoj deklaratën”, tha Guerot.
“Nuk mund të komentoj mbi cicërimat”, theksoi Rohde. “Kjo është thënë shumë herë edhe nga administrata e re amerikane – evropianët duhet të zgjidhin problemet e veta – kjo vlen besoj edhe për çështjet siç është çështja midis Kosovës e Serbisë”.
Ambasadorët mohuan se presioni për këtë proces është vetëm mbi Kosovën.
Të pyetur se pse duhet ta bëjë Kosova këtë hap kur Serbia, siç u theksua, e lufton Kosovën në shumë fusha, Guerot theksoi se Franca vazhdimisht i kërkon Serbisë që të ketë gjykim të autorëve të sulmit në Banjskë.
Edhe Rohde theksoi se në çdo takim bilateral midis Gjermanisë dhe Serbisë ata e ngrenë çështjen e llogaridhënies për sulmin në Banjskë dhe për incidentin në kanalin Ibër-Lepenc.
Për mosheqjen e plotë të masave nga BE ndaj Kosovës, Rohde deklaroi se shumica e anëtarëve ishin për heqjen e menjëhershme, por disa veprime të pakoordinuara në veri bënë që disa shtete të kërkojnë të pritet edhe pak.
“Pati ca veprime të pakoordinuara në veri dhe pastaj disa vende thanë të presim edhe pak. Kemi parë vendimin, hapat e parë të heqjes graduale”, theksoi ai.
Gjithashtu, ai theksoi se “duhen dy persona për vallëzim”, duke bërë thirrje që edhe Kosova të mos ecë me hapa të njëanshëm./RTK