Arbëri

Hajdari për aktakuzën ndaj saj: Afirmon tendencën politike të Prokurorisë kundër Qeverisë Kurti

rh

Foto: Driton Paçarada

Ministrja në detyrë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, e ka quajtur tërësisht politike ngritjen e aktakuzës ndaj saj për rezervat shtetërore nga Prokuroria Speciale.

Ajo ka përmendur luftën në Ukrainë si arsyetim për rezervat më 2022 e “luftën e Prokurorisë kundër Qeverisë së kryesuar nga Albin Kurti” si arsyetim për akuzat e kësaj prokurorie.

Hajdari ka thënë se Kurti nuk ka pasur lidhje me këtë rast. “Ai vetëm e ka aprovuar kërkesën tonë të ligjshme”, ka thënë ajo.

“Çdo pretendim i Prokurorisë Speciale nuk qëndron dhe vetëm afirmon tendencën politike të kësaj prokurorie ndaj Qeverisë Kurti. Çdo pretendim tjetër është pohim në dobi politike që është i palejueshëm dhe i pamoralshëm marrë parasysh periudhën ku ndodheshim më 2022. Të gjitha të ashtuquajtura prova nga Prokuroria janë mbledhur jashtëligjshëm përmes hetuesve që kanë zbatuar urdhrin e prokurorit Valdet Gashi që i ka dërguar në MINT pa certifikatë të sigurisë. Në raportin e IPK-së i është kërkuar u.d të kryeprokurorit Blerim Isufaj ta autorizojë IPK-në për veprime të mëtejmë, por kjo është mbyllur nga prokurori Valdet Gashi. Si ministri kemi dëshmi që vërteton se me të pranuar raportin e IPK-së, Gashi ka qenë në konflikt interesi dhe nuk mund ta trajtojë lëndën sepse vetë kishte autorizuar hetuesit ta merrnin dokumentacionin e rezervave në MINT”, ka thënë ajo në konferencë.

Hajdari ka thënë tutje se rrezikimi i fshehtësisë shtetërore, përmes marrjes së dokumentacionit mbi rezervat, është bërë nga Prokuroria Speciale dhe “disa media”, duke theksuar se këtë “në asnjë formë” nuk e ka bërë vetë.

“Rrezikimi i fshehtësisë shtetërore është bërë nga Prokuroria Speciale dhe disa media dhe asnjë formë nga unë. Ju qytetarë duhet të njoftoheni se nga MINT kemi vepruar në urgjencë për të gjetur për shtet mik apo kompani që do t’i hapte dyert ndaj eksportit të produkteve bazë në shkurt-mars 2022”, ka deklaruar ajo.

Ajo e ka quajtur “jetike” sigurimin e rezervave gjatë periudhës shkurt-mars 2022, pasi sipas ministres, siguria kombëtare ishte në rrezik.

“Për këtë arsye sigurimi i rezervave të mallrave ishte jetik sepse siguria kombëtare ishte në rrezik, duhej veprim i menjëherë i institucioneve tona”, ka thënë ajo.

Para disa ditësh, Prokuroria Speciale ngriti aktakuzë ndaj Hajdarit dhe disa zyrtarëve të tjerë e një biznesmeni nën dyshimet se kanë keqpërdorur detyrat zyrtare për përfitime financiare për persona të tjerë dhe i kanë shkaktuar dëm buxhetit rreth tre milionë euro, me rastin e kontraktimit të rezervave shtetërore gjatë vitit 2022. Madje sipas aktakuzës, Hajdari ka qenë në dijeni se çmimi i grurit të importuar nga një kompani turke ka qenë rreth 200 euro më shtrenjtë për ton, por prapë se prapë është vendosur të vazhdohet me çmimin më të lartë.

Çitaku i reagon Hajdarit: Ke abuzuar me detyrën, askush s’është mbi ligjin

57 min. më parë / 14 nën 2025 17:08
Vlora Çitaku

Foto: Arkiv

Sekretarja e përgjithshme e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku, e ka cilësuar skandaloze paraqitjen e Rozeta Hajdarit, ministres në detyrë të Industrisë, në një konferencë për media të premten.

Hajdari tha se aktakuza ndaj saj për çështjen e rezervave politike ka qenë tërësisht politike. Ajo ka thënë po ashtu se në këtë rast kryeministri Albin Kurti nuk ka pasur punë.

Çitaku në një shkrim në Facebook, ka thënë se Hajdarin nuk po e ndjek askush politikisht. Ajo ka shkruar se Hajdari nuk ka kontribut në politikë, pos në abuzim.

“Çfarë paraqitje skandaloze nga Rozeta Hajdari. Paska thënë se po e “ndjekin politikisht”. Jo, Rozetë. Nuk të ndjek askush politikisht. Aktakuza që e ke mbi supe është për milionat e abuzuara si Ministre me rezervat shtetërore. Sepse në politikë, ti nuk ke bërë asgjë. Nuk ke peshe politike, nuk ke asnjë kontribut. Ajo që ke bërë është abuzimi me detyrën dhe lejimi që të instrumentalizohesh nga Albin Kurti. Kaq është e gjithë historia. Dhe sot, në vend që të përballesh me drejtësinë, del e sulmon Prokurorin që po bën punën e tij, implikon AKI-në, dhe mbron atë që të ka dhënë urdhra. Askush nuk është mbi ligjin Rozetë. As ata që abuzuan, as ata që i urdhëruan”, ka shkruar Çitaku.