Arbëri

“Handikos”: Paqartësi dhe vonesa në shpërndarjen e pajisjeve për paraplegjikët e tetraplegjikët

Karroca

Foto: Ilustrim

Organizata “Handikos” ka shprehur shqetësim lidhur me siç ka thënë, vazhdimin e paqartësive dhe vonesave në procesin e shpërndarjes së pajisjeve ndihmëse për personat me aftësi të kufizuara, konkretisht ata me status paraplegjik dhe tetraplegjik. 

Në një reagim të “Handikos-it” thuhet se kjo zvarritje po ndodh pavarësisht se procesi është mbështetur me vendime institucionale dhe me një buxhet të ndarë nga Qeveria. 

Para më shumë se dy javësh KOHA ka shkruar se edhe pas tre muajsh nga hapja e aplikimeve, SHSKUK-ja nuk ka filluar shpërndarjen e mbi 4 mijë pajisjeve ndihmëse për personat paraplegjikë dhe tetraplegjikë. KOHA raportoi se si pajisjet me vlerë mbi 6.5 milionë euro vazhdojnë të qëndrojnë në bodrumin e QKUK-së, ndërsa aplikuesit në të gjithë Kosovën përballen me pritje të gjata, mungesë informacionesh dhe barriera burokratike.

Ankesa për procesin ka shprehur “Handikos-i” të premten.

“Megjithatë, ky proces vazhdon të shoqërohet me paqartësi dhe sfida të shumta, ndërkohë që pajisjet nuk po mbërrijnë tek komuniteti, ndonëse janë bërë gati 4 muaj nga nisja e fazës së aplikimit”, thuhet në reagim e “Handikos-it” .

Bazuar në informacionet dhe ankesat e përditshme, kjo organizatë thotë se ka marrë nga anëtarët e saj, personat aplikues nga e gjithë Kosova duhet të jenë fizikisht prezent për vlerësim nga komisioni, pra për herë të dytë, edhe pse ishte premtuar mundësia e aplikimit online, e cila nuk është ofruar asnjëherë në praktikë deri tash.

“Shqetësimi më i madh mbetet tek fakti që komisioni vlerësues nuk kanë asnjë mjet vlerësues për marrjen e përmasave të personave se çfarë pajisjesh duhet të kenë, nuk kanë njohuri mbi llojet, nuk i kanë parë pajisjet dhe nuk njohin funksionalitetin apo mënyrën e përdorimit, përshtatjes dhe montimit të tyre, përpos posedimit të një liste të shkruar të pajisjeve nga menaxhmenti i SHSKUK-së. Ndonëse në bazë të Udhëzimit Administrativ nuk përcaktohen kompetenca të tilla”, thuhet në reagim.

“Po ashtu, personi njoftohet nga zyrtarja e SHSKUK-së për marrjen e vendimin i cili zgjatë 1 muaj apo më shumë i shkruar nga kryesuesja e komisionit, dhe aty personit i komunikohet se do të ftohet për të marrë pajisjen në SHSKUK,  ose se kompania e kontraktuar do t’ia dorëzojë atë në shtëpi. E kjo procedurë kërkon që personi të paraqitet në SHSKUK të paktën katër herë, një maltretim dhe barrë e panevojshme për dikë me lëvizshmëri të kufizuar”, thuhet tutje në reagim.

“Handikos-i” u ka bërë thirrje institucioneve përgjegjëse që urgjentisht të sqarojnë se “ku qëndron procesi, pse pajisjet ende nuk po arrijnë tek personat që kanë nevojë për to, si dhe të garantojnë transparencë, efikasitet dhe zbatim të Udhëzimit Administrativ”.