Arbëri

Hapen shkollat, mësimi me numër të kufizuar nxënësish

Sa i përket funksionimit të gastronomisë, ministri Arben Vitia ka thënë se sipas masave të reja, stafi dhe klientët duhet të posedojnë vaksinën ose testin negativ

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka bërë të ditur se Qeveria e Kosovës në mbledhjen e sotme ka vendosur lidhur me masat e reja anti-COVID.

Vitia ka thënë se masat e marra disa javë më parë janë treguar jetike në menaxhimin e situatës me COVID-19.

Ai ka bërë të ditur se krahas disa masave që nuk ndryshojnë, është vendosur që duke filluar nga 27 shtatori të fillojë mësimi në shkolla dhe puna në çerdhe.

Sipas tij, procesi mësimor parauniversitar zhvillohet sipas skenarit përkatës, mirëpo siç ka thënë parakusht është prania e jo më shumë se 20 nxënësve në klasë.

Sa i përket funksionimit të gastronomisë, Vitia ka thënë se sipas masave të reja, stafi dhe klientët duhet të posedojnë vaksinën ose testin negativ.

“Nga 27 shtatori lejohet shfrytëzimi i hapësirave të mbyllura 50% e të hapura deri në 70%. Sa u përket qendrave tregtare dhe qendrave të tjera duhet të posedojnë dëshmitë e cekura më lartë këto vlejnë edhe në institucione publike e private dhe biznesi që ka punë me palë”, ka thënë Vitia.

Masat e tjera - përfshirë ndalesën e qarkullimit prej orës 22:00 deri në 05:00, mbajtjen e maskës në ambiente publike si dhe në ambientet e mbyllura, ndalimi i veprimtarive dhe organizimeve të caktuara siç janë klubet e natës, dasmat, koncertet, festivalet, pelegrinazhet, ahengjet – mbeten në fuqi.

Ministri Vitia ka bërë thirrje edhe njëherë për vaksinim, duke shtuar se Kosova deri më tani ka administruar mbi 1 milionë e 200 doza të vaksinës.