Ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, ka njoftuar se në platformën “e-Kosova”, tek shërbimi “Familja” është hapur aplikimi për mbështetjen e studentëve prej 100 eurove dhe gjithashtu për Bursën e Mobilitetit të Studentëve.
“Të drejtë aplikimi kanë studentët aktivë të të gjitha niveleve (Bachelor, Master, Doktoratë) që studiojnë në ndonjërin nga universitetet e akredituara në Kosovë, publike dhe private. Sigurohuni që i plotësoni të gjitha fushat saktë dhe pa gabime. Nëse ka gabime, aplikimi refuzohet. Afati për aplikim është deri në fund të muajit tetor, kurse pagesat do të kryhet me grupe, sipas radhës së aplikimit”, ka shkruar në postimin e tij në Facebook, Murati.
Gjithashtu, ai ka dhënë detaje edhe për aplikimin për Bursën e Mobilitetit të Studentëve.
“Të drejtë aplikimi kanë studentët e nivelit Bachelor, shtetas të Kosovës, që studiojnë në ndonjërin nga universitetet e akredituara në Kosovë. Kusht për përfitimin e Bursës së Mobilitetit është që familja e studentit/studentes të ketë të ardhura vjetore bruto jo më shumë se 12,000 euro”, thuhet mes tjerash në njoftimin e tij.
Qeveria në detyrë ditë më parë ndau 26 milionë euro në formë të mbështetjes së njëhershme prej 100 eurove për të gjithë studentët dhe në pakon e mobilitetit për mbështetjen e studentëve bazuar në distancën që e kanë - nga vendi i banimit tek ai ku studiojnë.
Nga opozita vendimi është cilësuar si përpjekje për blerje votash në prag të zgjedhjeve lokale të 12 tetorit.