Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, duke e kritikuar punën e ekzekutivit, ka thënë se Kosova nuk është e varfër, por e keqqeverisur.
Ai e ka cilësuar situatën aktuale si “jonormalitet” që, sipas tij, rrezikon të shndërrohet në mënyrë jetese për qytetarët e Kosovës
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo“Kosova nuk është e varfër, por e keqqeverisur. Këtu mund të sigurohet e ardhmja e sigurt jo vetëm për ne që jetojmë këtu, por edhe për ata qindra mijëra qytetarë që sot janë në diasporë”, ka shkruar ai në Facebook.
Haradinaj ka pretenduar se vendi është udhëhequr për një vit në kundërshtim me normat ligjore dhe kushtetuese.
Ai e ka veçuar si shqetësuese edhe funksionimin e institucioneve, duke përmendur faktin që, sipas tij, Kosova është “vendi i vetëm me parlament të zgjedhur, por të pezulluar”.
Sipas Haradinajt, debatet politike kanë zëvendësuar problemet reale të njerëzve.
“Atij njeriu i cili detyrohet të gjejë strehë ekzistence nëpër botë e atje të kryejë punë të rënda, që jo rrallë i kushtojnë edhe me jetë, siç ishte rasti i tre qytetarëve fatkeqë që humbën jetën në një vendpunishte në Vjenë. Më nuk po flasim për vargun e njerëzve që po e braktisin Kosovën. Për ata që nuk e lidhin fillimin me fundin e muajit. Që tryezën e kanë përditë e më të varfër. Për pushtetin që e shtrenjton rrymën sa herë që i teket. Për zhgënjimin e prindërve me sistemin shkollor të fëmijëve të tyre. Për të sëmurët që shërimin e kanë të papërballueshëm”, ka shkruar Haradinaj.
Ai ka kritikuar edhe politikat sociale, duke i cilësuar ndihmat financiare prej 100 eurosh si masa të pamjaftueshme dhe me prapavijë elektorale.
Një tjetër pikë kritike është edhe organizimi i shpeshtë i zgjedhjeve dhe, sipas tij, shpenzimet e mëdha financiare që lidhen me to, të cilat rëndojnë mbi taksapaguesit.
“Jemi i vetmi vend që brenda një viti i mbajmë katër palë zgjedhje dhe ku e bllokojnë zgjidhjen e na çojnë prapë në zgjedhje. Ku një parti politike e vetme, veç për propagandë, shpenzon mbi 4 milionë euro për zgjedhje e shumë miliona të tjerë nga ata që janë të obliguar t’i organizojnë zgjedhjet, të gjitha këto para të taksapaguesve”, ka theksuar Haradinaj.