Arbëri

Haradinaj për dëmet nga përmbytjet: Të ndahen pa vonesë fondet emergjente

Ramush Haradinaj

Foto: Driton Paçarada

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka bërë thirrje që institucionet të merren menjëherë në mënyrë urgjente me dëmet e shkaktuara nga përmbytjet në disa komuna.

Ai ka thënë se duhet të ndahen pa vonesë fonde emergjente.

“Përmbytjet kanë shkaktuar dëme të mëdha në mbarë Kosovën. Shtëpi, biznese dhe ekonomi familjare janë goditur rëndë. Kjo gjendje nuk pret. Duhet veprim i menjëhershëm. Duhet vlerësim urgjent i dëmeve dhe mbështetje direkte për familjet e prekura. Fondet emergjente duhet të ndahen pa vonesë. Buxheti i 2026 duhet të përshtatet dhe të reflektoj qartësisht këtë fatkeqësi. Dora e shtetit duhet të ndjehet menjëherë dhe përgjatë gjjthë vitit 2026. Institucionet të rrisin gatishmërinë dhe të jenë në terren. Solidaritet dhe përgjegjësi që tani, sepse nesër është vonë.  Përkrahje të plotë për zjarrfikësit, Policinë e Kosovës dhe shtabet emergjente që janë pranë qytetarëve”, ka shkruar Haradinaj në Facebook.

Përmbytjet e ditëve të fundit kanë shkaktuar dëme të konsiderueshme në disa komuna. Autoritetet lokale kanë nisur t’i hapin proceset e aplikimit për vlerësim të dëmeve. E pas përmbytjeve të disa ditëve, reshjet kanë shkaktuar telashe edhe të shtunën duke bërë që të bllokohen edhe rrugë të rëndësishme.