Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Haxhiu ministrit të Jashtëm të Shqipërisë: Ju keni qenë zëri ynë kur Kosova nuk kishte zë

Albulena Haxhiu

(Lajm i përditësuar) - Ushtruesja e detyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, priti sot në takim Ministrin për Evropën dhe Punët e Jashtme të Republikës së Shqipërisë, Ferit Hoxha.

Gjatë takimit, Haxhiu e uroi ministrin Hoxha për detyrën e re, duke vlerësuar gjithashtu përvojën e tij të gjatë diplomatike në përfaqësimin e Shqipërisë në organizata dhe forume ndërkombëtare. “Ju keni qenë zëri i Kosovës kur Kosova nuk kishte zë”, u shpreh ajo.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Sipas njoftimit për media, në takim u diskutuan marrëdhëniet bilaterale ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë, koordinimi në politikën e jashtme, si dhe zbatimi i marrëveshjeve të nënshkruara ndërmjet dy vendeve. Haxhiu theksoi rëndësinë e afërsisë historike, gjuhësore dhe kombëtare si bazë për thellimin e bashkëpunimit institucional dhe realizimin e projekteve në dobi të qytetarëve të të dy vendeve.

Një pjesë e bisedimeve iu kushtua edhe rrugës euroatlantike të Kosovës ku bëhet e ditur se u.d. Presidentja kërkoi vazhdimin e mbështetjes së Shqipërisë për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, marrjen e pyetësorit të Bashkimit Evropian, si dhe avancimin e procesit të afrimit me NATO-n dhe Partneritetin për Paqe.

Në përfundim, Haxhiu theksoi se Kosova dhe Shqipëria duhet të vazhdojnë koordinimin e ngushtë në forumet ndërkombëtare, me qëllim forcimin e pozitës së Kosovës dhe mbrojtjen e interesave të përbashkëta në rajon dhe në Evropë.


 Haxhiu e Kurti takojnë ministrin e Jashtëm të Shqipërisë

Ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu e më pas edhe kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti janë takuar me ministrin për Evropën dhe Punë të Jashtme të Republikës së Shqipërisë, Ferit Hoxha.

Mediat janë lejuar të marrin pamje në fillim të të dyja takimeve, ndërkaq nuk ka pasur deklaratë për media.

Edhe zëvendëskryeministri i Parë dhe Ministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës i Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, do ta pres në takim ministrin për Evropë dhe Punë të Jashtme të Shqipërisë Ferit Hoxha. Pas takimit, të dy homologët do të mbajnë konferencë të përbashkët për media.

Konjufca në takim me Hoxhën kërkon mbështetjen e Shqipërisë për anëtarësim në NATO

43 s. më parë / 31 maj 2026 12:42
KONJUFCA

Ministri në detyrë i Punëve të Jashtme të Kosovës, Glauk Konjufca, pas takimit me homologun e tij nga Shqipëria, Ferit Hoxha, ka deklaruar se takimet me përfaqësuesit e Shqipërisë janë të rregullta dhe me karakter vëllazëror, duke theksuar bashkëpunimin e ngushtë mes dy shteteve.

“Takimet tona janë gjithmonë vëllazërore, të rregullta dhe të përhershme. Me shtetin shqiptar kemi komunikim të vazhdueshëm lidhur me objektivat tona të përbashkëta shtetërore e kombëtare”, ka thënë Konjufca.

Ai theksoi se koordinimi i politikës së jashtme mes Kosovës dhe Shqipërisë është i lehtë, pasi të dyja vendet përfaqësojnë interesat e të njëjtit komb.

“Të koordinosh politikën e jashtme mes dy shteteve si Kosova dhe Shqipëria është gjëja më e lehtë sepse përfaqësojmë interesat e të njëjtit komb, prandaj edhe politika jonë e jashtme është unike”, u shpreh ai.

Konjufca tha se orientimi strategjik i të dy vendeve mbetet rruga euroatlantike dhe vlerat perëndimore, të cilat sipas tij janë përcaktim i kombit shqiptar.

“Orientimet strategjike kah vlerat perëndimore dhe rruga euroatlantike është përcaktim i kombit shqiptar dhe në këtë rrugëtim vendet tona janë përkrah njëra-tjetrës”, deklaroi ai.

Ai u shpreh besimplotë se Shqipëria do të jetë anëtare e Bashkimit Evropian brenda dy apo tri viteve, duke e cilësuar këtë si arritje për kombin shqiptar.

“Për Kosovën anëtarësimi i Shqipërisë në BE do të ishte inspirim, por edhe një shans i madh përfitues në aspiratën tonë eurointegruese”, tha Konjufca.

Ai shtoi se në takime janë diskutuar një varg çështjesh dhe se ka kërkuar mbështetjen e Shqipërisë për përshpejtimin e anëtarësimit të Kosovës në NATO.

“Kosova ka ndërtuar dhe po forcon kapacitetet e mbrojtjes dhe është e gatshme të bëhet pjesë e kësaj strukture të sigurisë”, u shpreh ai.

Konjufca theksoi gjithashtu se mbështetja e Shqipërisë në procesin e integrimit evropian është shumë e rëndësishme për Kosovën, duke potencuar se marrja e pyetësorit dhe hapja e negociatave me Bashkimin Evropian janë jetike.