Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Konjufca: SHBA-ja mbetet aleatja jonë më e afërt dhe partnerja jonë strategjike

Glauk Konjufca - SHBA

Ministri i Jashtëm në detyrë Glauk Konjufca ka thënë se Shtetet e Bashkuara të Amerikës mbeten aleati më i afërt dhe partneri strategjik i Kosovës.

Tek ka njoftuar se ka marrë pjesë në takimin ministror mbi rritjen e rrezikut nga terrorizmi politik, të organizuar nga Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio në Washington, Konjufca ka thënë se Kosova do të vazhdojë të japë kontributin e saj në çdo nismë që forcon bashkëpunimin ndërkombëtar dhe i shërben paqes e sigurisë.

“Shtetet e Bashkuara të Amerikës mbeten aleati ynë më i afërt dhe partneri ynë strategjik. Bashkëpunimi me SHBA-në dhe me vendet partnere është thelbësor për ndërtimin e një mjedisi më të sigurt për mbrojtjen e vlerave mbi të cilat qëndrojnë demokracitë tona”, ka shkruar Konjufca në një postim në Facebook. 

Ai ka vlerësuar se pjesëmarrja e Kosovës në takimin e ftuar nga Rubio është e rëndësishme, sepse sipas tij, i jep mundësinë vendit të kontribuojë në parandalimin e terrorizmit politik dhe forcimin e mekanizmave që mbrojnë shoqëritë tona nga ky kërcënim.

“Kjo dukuri po merr forma gjithnjë e më të organizuara dhe po vepron përtej kufijve shtetërorë, duke shfrytëzuar rrjetet ndërkombëtare, financimin dhe hapësirën digjitale për të cenuar stabilitetin dhe institucionet demokratike”, ka shkruar Konjufca.