(E përditësuar 16:05) -Ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, e ka caktuar 7 qershorin për mbajtjen e zgjedhjeve të reja parlamentare.
“Pas vlerësimit të afateve kushtetuese, nevojave organizative të KQZ-së dhe rëndësisë së pjesëmarrjes sa më të gjerë të qytetarëve në këtë proces, kam vendosur që zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Republikës të mbahen më 7 qershor”, ka thënë ajo në konferencën për media.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo(E përditësuar 15:30) - Përfaqësuesit e partive politike kanë shprehur pajtim që 7 qershori të jetë datë e zgjedhjeve, pas takimit që kanë pasur me ushtruesin e detyrës së presidentes Albulena Haxhiu.
Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, ka thënë se për ta cilado datë brenda afatit kushtetues është në rregull. Por ka theksuar se ka pajtim nga shumica për 7 qershorin.
"Për PDK-në cila do nga datat brenda afateve kushtetuese dhe brenda vendimit të Gjykatës Kushtetuese, qoftë 31 maji apo 7 qershori... Partia Demokarike e Kosovës do të shkon në zgjedhje si Partia Demokratike e Kosovës, brenda listës së PDK-së sigurisht se do te ketë edhe risi edhe emra dhe figura të tjera”, ka thënë Hamza.
E përfaqësuesi i AAK-së, Ardian Gjini, gjithashtu ka konfirmuar se ka dakordësi për 7 qershorin.
"Prej asaj që pamë në takim me kryetaren e kuvendit dhe me partitë politike ka një dakordancë pothuajse të plotë që data e zgjedhjeve të jetë 7 qershori edhe ne jemi pajtuar edhe pse nuk kemi pasur ndonjë preferencë të posaçme", u shpreh Gjini.
Ngjashëm u shpreh edhe Jehona Lushaku-Sadriu e LDK-së.
“Si LDK dhamë opinionin tonë që brenda kornizave ligjore të shpallet data e 7 qershorit si data e zgjedhjeve. Me që ishte një arsyetim që KQZ e ka kërkuar këtë datë për shkak të përgatitjeve dhe natyrisht ne e kuptojmë... LDK i ka hapur dyert për bashkim të gjithë ata që i kanë vlerat tradicionale të LDK-së", theksoi Lushaku.
Nis takimi i Haxhiut me përfaqësuesit e partive për datën e zgjedhjeve
(E përditësuar 15:05) - Ka nisur takimi i u.d. të presidentes Albulena Haxhiu me përfaqësuesit e partive politike, ku do të diskutohet për datën e zgjedhjeve.
Haxhiu takon sot partitë politike për datën e zgjedhjeve
Ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, ka ftuar partitë politike për konsultime lidhur me caktimin e datës së zgjedhjeve.
Takimi pritet të mbahet sot në orën 15:00. Një ditë më parë, ajo është takuar me kryetarin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Kreshnik Radoniqin, me të cilin ka diskutuar për organizimin e procesit zgjedhor që duhet të zhvillohet brenda 45 ditësh. KQZ-ja ka kërkuar 7 qershorin si datë për mbajtjen e zgjedhjeve.
Ndërkohë, përfaqësuesit e partive politike e kanë konfirmuar pjesëmarrjen në këtë takim.
Të martën, në mesnatë u shpërnda legjislatura e dhjetë e Kuvendit, pasi dështoi ta zgjedhë presidentin brenda afatit kushtetues. Për pasojë, zgjedhjet e reja duhet të mbahen brenda 45 ditësh.
7 qershori është afati i fundit për organizimin e zgjedhjeve, ndërsa ushtruesja e detyrës së presidentes ka kohë 10 ditë për të caktuar datën, pas konsultimit me partitë politike dhe KQZ-në.
“Zgjedhjet e parakohshme duhet të mbahen brenda 45 ditëve, por jo më herët se 30 ditë, nga shpërndarja e Kuvendit. Megjithatë, afati 10-ditor i u.d. presidentes për shpalljen e zgjedhjeve nuk e shtyn afatin e fundit për mbajtjen e tyre – që mund të jetë vetëm 31 maji ose 7 qershori. Deri në mbajtjen e zgjedhjeve dhe krijimin e institucioneve të reja – që do të marrë kohë të paktën tre-katër muaj – shteti do të jetë në pauzë”, ka theksuar Eugen Cakolli, menaxher i Programit në Institutin Demokratik të Kosovës.
Zgjedhjet e radhës do të jenë të tretat parlamentare dhe të pestat në përgjithësi në 16 muajt e fundit.