Deputeti i LDK-së, Lutfi Haziri, ka thënë se nuk refuzojnë takimet kur duhet me kry punë, por nuk marrin pjesë në takimet për procedura, duke komentuar refuzimin e LDK-së për të marrë pjesë në takimin e sotëm të thirrur nga kryeministri në detyrë, Albin Kurti.
Para nisjes së seancës së sotme konstituive, Haziri ka thënë se po mungon marrëveshja politike dhe këtë të drejtë e gëzon partia e parë.
“Nuk është refuzim i dialogut, ka të bëjë me refuzimin e ftesës, sepse ju kemi përgjigj në ftesën e parë. Nuk ka nevojë të ketë takim politik për procedura siç po thotë zotëri Kurti, nëse është procedurale, atëherë duhet me trajtu si procedurale. Nuk shkohet në takim për të drejtën e fitume dhe natyrisht këtu po mungon një marrëveshje politike që partia e parë duhet me realizu për kuvend edhe për Qeveri apo sido që e kanë planin”, ka thënë ai.
Sipas Hazirit, VV-ja nuk ka vullnet të gjejë marrëveshje politike.
“Nuk ka vullnet politik për me zgjidh problemin, me bë takime vetëm sa për tu taku, edh mu taku në parimin për mu marr vesh për mos me u marr vesh, LDK-ja nuk funksionon. Ne shkojmë në takim vetëm kur duhet me kry punë sa i përket angazhimit politik ne ju kemi përgjigj në letrën e parë. Letra e dytë, konsultime për konstituim të Kuvendit për çështje procedurale, procedurat i ka zotëri Dehari si ma plaku i këtij Kuvendi dhe zonja Jashari si ma e reja e këtij Kuvendi në mungesë të tij, ata i kanë të drejtën procedurale dhe ceremoniale të këtij Kuvendit por nuk lejuan që me procedurë e ceremoni me ec Kuvendi, atëherë kryetarja e Kuvendit në këtë rast zgjedhet vetëm me votë dhe ajo duhet të ketë një marrëveshje politike”, ka thënë Haziri.
