Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Zjarri në Deponinë e Sferkës, një protestues dërgohet në Emergjencë

Deponi

Një prej protestuesve, të cilët gjatë ditës së sotme bllokuan rrugën për kamionët e KRU “Ambientit” të cilët e bëjnë shkarkimin e mbeturinave në Deponinë e Sferkës, është helmuar nga tymi dhe po trajtohet në Emergjencë në Spitalin Rajonal të Pejës. 

Deponia e Sferkës është përfshirë sërish nga zjarri. 

Drejtori i Spitalit të Pejës, Fahri Hasani, ka thënë se personi është pranuar me shenja të intoksimit me monoksid karboni. Por, ai pritet të lirohet në shtëpi pas trajtimit. 

“Një person është pranuar me shenja të intoksimit me monoksid karboni, marramendje dhe frymëzënie të lehtë, me parametra vital stabil. Pas trajtimit në repartin e Emergjencës ai pritet të lirohet në shtëpi”, ka thënë Hasani për KOHËN. 

Rastin e helmimit e ka konfirmuar për KOHËN edhe drejtori i Shëndetësisë në Komunën e Pejës, Petrit Loci.

Edhe Prokuroria: Do të ketë arrestime nëse vërtetohet se zjarri në Sferkë u shkaktua nga njerëzit Arbëri 1 o. më parë Prokuroria: Do të ketë arrestime nëse vërtetohet se zjarri në Sferkë u shkaktua nga njerëzit

“Ka protestues të helmuar te Deponia në Sferkë. Janë shoqëruar me emergjencë në Spitalin Rajonal të Pejës. Deponia është përfshirë sërish nga flakët”, ka thënë Loci.

Kompania Rajonale për Menaxhimin e Mbeturinave “Ambienti”, ka thënë se disa banorë kanë protestuar sot duke bllokuar rrugën për qarkullimin e automjeteve të tyre drejt deponisë, duke pamundësuar shkarkimin e mbeturinave.

“Sot, disa banorë kanë protestuar dhe kanë bllokuar rrugën për qarkullimin e automjeteve tona drejt deponisë sanitare të Sferkës, duke pamundësuar shkarkimin e mbeturinave. Si pasojë, kamionët tanë kanë mbetur të pashkarkuar dhe procesi i mbledhjes së mbeturinave në itineraret e planifikuara është penguar. Banorët vazhdojnë ende ta mbajnë rrugën të bllokuar, duke e vështirësuar edhe më tej vazhdimin e shërbimeve”, thuhet mes tjerash në reagimin e KRM “Ambienti”.

E lidhur me situatën ka reaguar edhe deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami.

Ajo i ka bërë thirrje kryeministrit në detyrë Albin Kurti dhe institucioneve përkatëse që të ketë mobilizim e të shuhet zjarri. 

“Zjarri duhet të shuhet, deponia duhet të mbyllet. Të njëjtën kërkesë i kam bërë  dhe po e përsëris edhe për  Kryetarin e Komunës së Pejës, z. Muhaxheri, që të aktivizojë të gjithë mekanizmat komunalë për ta ndalur këtë katastrofë ekologjike. Z. Kryeministër, para se t'ju drejtohesha juve, kam kërkuar edhe hetimin dhe zbardhjen e neglizhencës institucionale përmes një kallëzimi penal që kam adresuar te Kryeprokurori i Shtetit dhe Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale. Nëse ky vend ka mbetur edhe me një prokuror që e zbaton ligjin, dikush duhet të japë përgjegjësi penale për këtë katastrofë”, ka shkruar Bajrami në Facebook. 

Edhe KMDK-ja: Deponia në Sferkë menaxhohet nga KRU “Ambienti”, me aksionare kryesore Komunën e Pejës Arbëri 1 d. më parë KMDK-ja: Deponia në Sferkë menaxhohet nga KRU “Ambienti”, me aksionare kryesore Komunën e Pejës

E kreu i Vetëvendosjes në Pejë, Taulant Kelmendi, i ka bërë thirrje kryetarit të Pejës, Gazmend Muhaxheri, që të veprojë. Ai ka thënë se Muhaxheri “po merret me pazare politike për ta goditur kryetarin e LDK-së”. 

“Gazi, kthehu në Pejë! Derisa banorët po protestojnë për zjarrin në Deponinë e Sferkës, Gazmend Muhaxheri e ka hallin tjetërkund. Në vend që të jetë në Pejë, pranë qytetarëve që po përballen me pasojat e tymit dhe kësaj situate, ai po merret me skena prapa shpine dhe me pazare politike me partnerët e koalicionit të tij në Pejë (PDK-në), për ta goditur kryetarin e LDK-së. Për 13 vjet ka qenë në krye të qytetit tonë. Kompania për menaxhimin e mbeturinave “Ambienti” menaxhohet nga LDK-ja dhe PDK-ja!” – ka shkruar Kelmendi.