Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kulturë

Shtatorja e Ibrahim Rugovës në zhvendosje prej 18 mijë eurosh

Zhvendosja e shtatores së presidentit Ibrahim Rugova

Shtatorja e presidentit dr. Ibrahim Rugova është zhvendosur shkaku i punimeve që e zgjasin bulevardin qendror të kryeqytetit

Punimet në implementimin e projektit për sheshin “Xhorxh Bush” kanë arritur deri te shfrytëzimi i një prej pikave të kontratës nëpërmjet së cilës Komuna e Prishtinës thyen rekord për pagesën e zhvendosjes dhe kthimit të një shtatoreje. Do të paguhen fiks 18 mijë euro. Për zhvendosje 8 mijë, kurse për vendosje 10 mijë. Zyrtarët komunalë s’kanë bërë të ditur se ku do të qëndrojë shtatorja deri në rregullimin e hapësirës ku ishte. Kurse autori i veprës artistike ka përsëritur se shuma është tejet e fryrë

Kompanitë punëkryese për implementimin e projektit të sheshit “Xhorxh Bush” në Prishtinë e kanë bërë zhvendosjen e përkohshme të shtatores së presidentit dr. Ibrahim Rugova që zinte vend para katedrales “Nëna Terezë”. Kësisoj ka nisur edhe shfrytëzimi i një prej pikave të kontratës nëpërmjet së cilës Komuna e Prishtinës thyen rekord për pagesën e zhvendosjes dhe kthimit të një shtatoreje. Do të paguhen fiks 18 mijë euro. Për zhvendosje 8 mijë, kurse për vendosje 10 mijë. 

Zyrtarët komunalë s’kanë bërë të ditur se ku do të qëndrojë shtatorja deri në rregullimin e hapësirës ku ishte. Kurse autori i veprës artistike ka përsëritur se shuma është tejet e fryrë. 

KOHA për këtë çështje ka raportuar edhe në nëntor të vitit 2025. 

Pas nisjes së realizmit të projektit pa përfillur Ligjin për trashëgimi kulturore dhe politizimit të skajshëm të kësaj çështjeje, çmimi për zhvendosjen dhe rivendosjen e shtatores se dr. Ibrahim Rugovës është histori më vete

“Çvendosja (sic) e shtatores së Ibrahim Rugovës dhe bartja deri në një vend të caktuar për konservim të përkohshëm dhe atë deri në kohën kur përgatitet bazamenti i ri për rivendosjen e saj. Çvendosja, ruajtja e shtatores duhet të bëhet me kujdes të shtuar që të mos vijë deri te dëmtimi i saj. Për të gjitha duhet të merren udhëzime nga organet kompetente dhe atë me udhëzime nga vetë investitori”, shkruhet për pozicionin, çmimi i të cilit është 8 mijë euro. Në kontratën me titull “100 Ndërtimi i sheshit “Xhorxh Bush”, të nënshkruar nga përfaqësuesit e Komunës së Prishtinës me konzorciumin e kompanive “Salillari”, “Gjini Construction” dhe “Hidroterm” në shkurt të vitit 2024, menjëherë pas pozicionit për zhvendosje vjen ai për rivendosje. 

Edhe Zhvendosja dhe rivendosja e shtatores së Ibrahim Rugovës – 18 mijë euro Kulturë 8 muaj më parë Zhvendosja dhe rivendosja e shtatores së Ibrahim Rugovës – 18 mijë euro

“Rivendosja e shtatores së Ibrahim Rugovës nga vendi i konservuar pas zhvendosjes. Punimet në vendosjen dhe stabilizimin e plotë të shtatores duhet të bëhen me kujdes shumë të veçantë dhe që të mos vijë deri te dëmtimi i saj. Për të gjitha duhet të merren udhëzime nga organet kompetente dhe atë me udhëzime nga vetë investitori”, shkruhet në pozicionin që do të paguhet 10 mijë euro. Në kontratën që ka peshë financiare prej 18 milionë e 162 mijë eurosh, pozicion i veçantë që kushton 750 euro është demolimi i bazamentit aktual të shtatores. 

Të martën skulptori Fatmir Hoxha, njëherësh autor i shtatores ka thënë se nuk ka kurrfarë informacioni për zhvendosjen e veprës e as për vendin se ku do të mbahet. Ka komentuar prapë çmimin për këtë punë. 

“Më së shumti largimi bashkë me bazamentin e ri dhe rikthimin mund të kushtojë rreth 2 mijë euro”, ka thënë Hoxha. Sipas tij, është e pabesueshme se si është fryrë çmimi. 

KOHA ka provuar të marrë sqarime nga Gëzim Kastrati, ish-drejtor i Drejtorisë për Transformim në Komunën e Prishtinës, dhe Luftar Braha, drejtor i Drejtorisë së Shërbimeve Publike. Asnjëri s’janë përgjigjur. 

Vitin e kaluar, Kastrati nuk e kishte parë çmimin si diçka të pazakontë. “Nuk është vetëm montim apo demontim, por komplet ndërtimi i platformës dhe ku do të qëndrojë shtatorja. Që ta thjeshtësojmë më shumë: 63.000 metra katrorë intervenim për komplet sipërfaqen është 288 euro për metër katror”, kishte thënë Kastrati, asokohe drejtor i Drejtorisë së Transformimit në Prishtinë. Sipas tij, Prishtina e meriton zgjerimin pasi kjo ka kaluar në Kuvendin Komunal më 2012. 

Prej janarit të vitit 2021, vepra e skulptorit Fatmir Hoxha ka qëndruar para Katedrales “Nëna Terezë”

Vendosja e shtatores në atë hapësirë në janar të vitit 2021 ka një histori më vete, pasi Ipeshkvia kishte planifikuar që aty të zërë vend edhe një tjetër vepër e skulptorit e profesorit universitar, Fatmir Hoxha. Planifikohej që krahas të ishte edhe shtatorja e Anton Çettës. Pas reagimit të familjes Çetta, Ipeshkvia qe tërhequr dhe tash e katër vjet aty zë vend veç shtatorja e presidentit të parë të Kosovës. 
Historia e punimeve në “Xhorxh Bush” do të niste në mars të vitit të kaluar, kur Komuna pa përfillur Ligjin për trashëgimi kulturore synonte punime midis pesë monumenteve dhe zonës së mbrojtur të Qendrës Historike të Prishtinës. Komuna s’kishte marrë leje për ndërhyrje nga Instituti i Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve si i vetmi institucion me mandat për miratimin ose refuzimin e projekteve që prekin trashëgiminë arkitekturore. 

Edhe Komuna do lokale, s’i miratohen as punimet nëntokësore në “Xhorxh Bush” Kulturë 3 muaj më parë Komuna do lokale, s’i miratohen as punimet nëntokësore në “Xhorxh Bush”

Alamet sipërfaqesh janë duke u mbushur me armaturë dhe beton. Punimet i ishin ndalur më 12 mars të vitit të kaluar. Më pas më 16 prill. Dhe për të tretën herë më 29 prill. Inspektorati për këtë rast kishte ushtruar kallëzim penal në Policinë e Kosovës. Komuna më pas ka kërkuar pëlqim. 

Fillimisht IKMM-ja ia ka bërë të ditur Komunës së Prishtinës se nëpërmjet këtij projekti trajtohen shtatë sheshe si: ai i Katedrales, i shkollës “Faik Konica”, sheshi komercial i rrugës “Garibaldi”, ai “Xhorxh Bush”, sheshi i koncerteve, i rekreacionit dhe ai i studentëve. Pesë prej këtyre shesheve, sipas komisionit të IKMM-së, gjenden brenda hapësirës së kufijve të zonës së mbrojtur të Qendrës Historike të Prishtinës, si dhe brenda perimetrit të zonave të  mbrojtura të monumenteve si: Biblioteka Kombëtare e Kosovës, Rektorati i Universitetit të Prishtinës, Radio-Kosova, hoteli “Grand” dhe Banka Qendrore e Kosovës. Projekti, sipas shkresës, është kthyer në plotësim me gjashtë rekomandime. Më pas palët janë përballur edhe në Gjykatë dhe ky institucion ka lënë në fuqi vendimin e Inspektoratit të Trashëgimisë Kulturore. E sivjet Komuna fillimisht ka kërkuar leje për implantim të projektit me faza duke nisur me infrastrukturën nëntokësore. Pasi ka hequr dorë nga lokalet afër monumenteve, është duke vazhduar punimet.