Arbëri

Historiani kroat Ivo Goldstein: Ideja e Beogradit për „botën serbe“ nuk mund të realizohet pa dhunë

Ivo Goldstein është njëri prej historianëve më të njohur kroatë. Në një intervistë me Al Jazeera Balkans, Goldstein ushtron kritikë të ashpër ndaj politikave nacionaliste të presidentit serb dhe të ministrit të tij të Brendshëm. Sipas Goldstein, nëse serbëve në vendet fqinje u sugjerohet që të jenë në radhë të parë serbë dhe jo qytetarë, ky është skenar i ngjashëm me atë të fundviteve 80-të dhe fillimviteve 90-të. Goldstein thotë se koncepti i “botës serbe” që po e promovon Beogradi është sfidë e rrezikshme për Bosnjë-Hercegovinën, Malin e Zi dhe Kosovën.

Ivo Goldstein, autor i disa veprave të rëndësishme sidomos mbi krimet naziste dhe të ustashëve ndaj hebrenjve dhe pakicave të tjera gjatë Luftës së Dytë Botërore, në një intervistë me Al Jazeera Balkans deklaroi se paralajmërimi i hapur nga Serbia se do të krijojnë „botën serbe“ („srpski svet“), e ndërron thelbësisht situatën në rajon, rrjedhimisht edhe në Bosnjë-Hercegovinë.

Goldstein tha se jemi dëshmitarë të diskutimeve të pahijshme, grindjeve në të gjitha anët, etiketimeve me epitete të ndryshme. Sipas tij çdo gjë ndryshon me lansimin e idesë së „botës serbe“. „Promotorët e saj Aleksandar Vuçiqi dhe Aleksandar Vulin thonë se nuk kërkojnë ndryshimin e kufijve, por prapë do të kriohet 'bota serbe'. Megjithatë, kjo është një lojë dhe një mashtrim i madh. Çdokush që e shtynë përpara realizimin e 'botës serbe' duhet të jetë i vetëdijshëm se kjo ide nuk mund të realizohet pa dhunë. E kemi parë si funksionon ky realizim në terren, e kemi parë se si, ta zëmë, Kisha Ortodokse Serbe ka organizuar vendosjen në fron të metropolitit në Cetinje, në kryeqytetin historik të Malit të Zi. Pra, ky ka qenë provokim i paramenduar”, thotë Goldstein.

Ideja e “botës serbe” bazohet në konceptin rus të “ruski mir”. Ky koncept në formën e vet ideologjike përdoret për të legjitimuar ndikimin rus në hapësirën postsovjetike. Edhe koncepti i “botës serbe” ka këtë qëllim: dominimin e Serbisë në hapësirën postjugosllave, mundësisht duke zgjeruar ndikimin e Beogradit edhe në Shqipëri.

Ivo Goldstein thekson se presidentit Vuçiq ka shpikur një ditë festive dhe po ju sugjeron serbëve, pa marrë parasysh se ku jetojnë, që të shpalosin flamujt serbë. Shpalosja e flamujve serbë në këtë mënyrë në vendet e ish-Jugosllavisë lehtë mund të shkaktojë të këqija. “Athua dikush ka nevojë të shkaktojë situata konfliktuoze? Në shumë variante të zhvillimit këto situata nuk përfundojnë mirë për atë që i provokon ato, por as për atë që është cak i provokimit. Edhe më e rëndësishme është se çfarë mesazhi na përçon promotori i kësaj ideje – Aleksandar Vuçiqi po u sugjeron serbëve në shtetet fqinje që të jenë në radhë të parë serbë, jo qytetarë të atyre shteteve. Ai de fakto nuk po prezantohet si kryetar i të gjithë qytetarëve të Serbisë, por si udhëheqës, si bajraktar i ‘fisit’ serb. Ai po formulon si të thuash një bashkësi fisnore në të cilën serbët bashkohen rreth tij”, shpjegoi Goldstein.

Ky koncept i shtetit dhe kombit si bashkësi fisnore, tha Goldstein, i vë gjërat në këtë kuptim: në njërën anë “ne”, në anën tjetër “ata”, të cilët janë “të tjerët” dhe “të ndryshëm”. Kjo detyrimisht shkakton konflikte. Kur serbët jashtë Serbisë ndihen në radhë të parë si serbë, e tek pastaj si qytetarë të atyre shteteve, kjo është e dëmshme për pozitën e tyre sepse ata kështu vetëpërjashtohen nga jeta politike e shtetit. Ky është skenar shumë i ngjashëm me atë që kemi pasur në fund të viteve 80-të dhe 90-të. Sipas Goldstein kjo që po ndodh tani me “botën serbe” është sfida larg më e rrezikshme për Bosnjë-Hercegovinën, por edhe për shtetet e tjera në hapësirën e ish-Jugosllavisë, mendoj këtu për Malin e Zi dhe Kosovën.

Goldstein tha se 25 vite pas luftërave (nëse lëmë anash luftën e Kosovës më 1999), ende në të gjitha shoqëritë dominon narrativi sikur lufta nuk ka ndodhur kurrë. “Kjo për Ballkanin Perëndimor dhe vendet përreth, përfshirë Kroacinë, është barrë që vështirë mbahet, madje është e pamundur. Krejt ato tregimet mbi rrugën drejt integrimeve euroatlantke që po vijnë nga Burkseli dhe vendet kryesore anëtare, po i dëgjojmë pa efekt juridik. Ky është mungesë suksesi i politikës europiane, por edhe i politikës së NATO-s, përfshirë SHBA-të”, tha Goldstein.

Historiani Goldstein, i cili rrjedh nga një familje e njohur hebraike e Kroacisë, kritikoi edhe planet e Beogradit që në republikën serbe të Bosnjës të ndërtojë një qendër përkujtimore për viktimat e kampit të shfarosjes në Jasenovc, i cili gjendet në Kroaci. Ky projekt, sipas Goldstein, është pjesë e toposit formësues të projektit për “botën serbe”. Në Gradinë të Bosnjës, ku synohet të ndërtohet qendra përkujtimore, prej disa dekadash gjenden pllakat me shifra që sugjerojnë se numri i përgjithshëm i viktimave është 700 mijë. “Sot të gjithë e dinë se kjo është shifër joreale, mbidimensonale,, por ajo duhet të mbesë e tillë si një lloj miti i pamohueshëm rreth së cilit krijohet ‘bota serbe’”, shtoi Goldstein. Që kjo shifër mbi viktimat serbe është mit, këtë realistët është dashur ta dinë nga mesi i viteve 60-të kur Enti Federativ për Statistika i Jugosllavisë së atëhershme publikoi regjistrimin e rreth 600 mijë viktimave të luftës në territorin e Jugosllavisë së atëhershme, prej tyre 59’188 viktima në Jasenovc, tha Goldstein.

Historiani kroat deklaroi se pala serbe që në vitet 80-të dhe 90-të ka theksuar se janë 700 mijë viktima serbe. “Sot kjo shifër u shërben qarqeve nacionaliste serbe, sidomos atyre në Bosnjë për të dërguar porosinë se për shkak të numrit të madh të viktimave serbe dhe rreziqeve që krimet e tilla të përsëriten, nuk mund të jetohet me dy popujt e tjerë – kroatët dhe boshnjakët”. Goldstein këmbënguli që qendra përkujtimore serbe në Bosnjë është e panevojshme, sepse qendra memoriale në Jasenovc të Kroacisë punon mjaft mirë.