Rajon

Kuvendi i Serbisë i hap rrugë ndërtimit të hotelit të dhëndrit të Trumpit në Beograd

Kuvendi i Serbisë i hap rrugë ndërtimit të hotelit të dhëndrit të Trumpit në Beograd

Foto: Associated Press

Serbia ka miratuar të premten një ligj për t’i hapur rrugë ndërtimit të një hoteli luksoz në qendër të Beogradit nga kompania e Jared Kushnerit, dhëndrit të presidentit amerikan, Donald Trump. Ligji parasheh shembjen e ndërtesës së bombarduar të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Jugosllave.

Ligji u miratua me 130 vota pro, ndërsa 40 ishin kundër, pas disa ditësh të debatit të nxehtë e protestave kundër planit.

Kushner, i cili është i martuar me vajzën e Trumpit, Ivankan, pati themeluar kompaninë që ka fituar projektin “Affinity Global Development” pasi pati dhënë dorëheqjen nga puna e tij si ndihmës në Shtëpinë e Bardhë në vitin 2021.

Qeveria dhe pushteti në Serbi e kanë vlerësuar projektin si shtytje ekonomike dhe forcim të lidhjes me SHBA-në, por plani është kundërshtuar nga ekspertët dhe opozitarë që e shohin si simbol të rezistencës ndaj bombardimeve të NATO-s.

Kompleksi i shekullit të shkuar u shkatërrua pjesërisht gjatë bombardimeve të NATO-s në vitin 1999, për t’i dhënë fund luftës në Kosovë. Ndërtesa deri tash ka qenë nën mbrojtje, por me ligjin e ri projekti shpallet “prioritet kombëtar” dhe anashkalon mbrojtjen.

Vitin e shkuar autoritetet serbe dhe kompania e Kushnerit “Affinity Global Development”, me seli në SHBA, nënshkruan një marrëveshje qiraje 99-vjeçare, duke i lejuar kompanisë të riparojë dy ndërtesa që dikur strehonin selinë e Ushtrisë Popullore Jugosllave.

Projekti përfshin një hotel, apartamente, dyqane dhe hapësira zyrash.