Futboll

Fitorja në Irlandë i jep Dritës besimin për kalim në fazën nokaut

Drita

Drita vazhdon të jetë e pamposhtur në kampanjën debutuese në Ligën e Konferencës. Historike u vlerësua fitorja 1:0 e kampiones së Kosovës të enjten mbrëma në “Tallaght Stadium” në Dublin të Irlandës ndaj Shelbournet.

Goli i Almir Ajzerajt në minutën e 57-të e vendosi sfidën e vështirë për gjilanasit, që luajtën me shumë mungesa. Shelbourne u mposht edhe nga Shkëndija e Tetovës në xhiron e kaluar, 1:0.

Shkëndija do të jetë kundërshtarja e radhës evropiane për Dritën. Ndeshja e xhiros së katërt të Ligës së Konferencës, do të jetë edhe festive. Do të luhet më 27 nëntor në “Fadil Vokrri” në Prishtinë, në prag të ditës së flamurit.

Pas tri ndeshjeve të luajtura në fazën e ligës, Drita është në pozitë të mirë për ta siguruar fazën nokaut të Ligës së Konferencës.

Me pesë pikë, Drita zë vendin e 13-të duke lënë prapa edhe skuadra të njohura si Sparta e Pragës, Rijeka, Dynamo Kyiv e AZ Alkmaar.

Në edicionin e kaluar të Ligës së Konferencës, që ishte i pari pasi faza grupore u zëvendësua me fazën e ligës, shtatë pikë kanë qenë të mjaftueshme për të avancuar në fazën nokaut. Kjo jep shpresë e besim te Drita.

“Deri në këto momente jemi shumë të kënaqur me atë që kemi arritur. Jemi optimistë dhe besojmë e shpresojmë shumë që do të arrijmë të kalojmë në fazën tjetër”, ka deklaruar të premten për KOHËN kapiteni i Dritës, Rron Broja.

Te Drita të enjten mbrëma nuk luajtën sulmuesit Arb Manaj, Blerim Krasniqi, Liridon Balaj e Veton Tusha. Rolin e qendërsulmuesit e mori Albert Dabiqaj, ndërsa mesfushën e udhëhoqi kapiteni Broja.

Broja ka thënë se karakteri i skuadrës u shfaq edhe në moment të vështirë.

“Padyshim se është një fitore historike për ne. Jemi shumë të lumtur që e arritëm këtë fitore, në një fushë të vështirë. Kishim shumë mungesa që na e bënë më të vështirë ndeshjen. Ne luftuam, nuk u dorëzuam deri në fund dhe dhamë çdo gjë për të arritur te fitorja”, është shprehur futbollisti mitrovicas.  

Broja pjesë e Dritës është prej vitit 2021. Vazhdon të jetë shumë i rëndësishëm për ekipin gjilanas.  

Ai në fundin e pjesës së parë iu afrua shumë shënimit të golit duke qëlluar transversalen.

Shelbourne pati iniciativë në fillim të ndeshjes duke krijuar disa mundësi. Por kartoni i kuq i James Norrisit ndikoi shumë te skuadra irlandeze. Drita mori kontrollin e lojës, krijoi disa mundësi kurse golin e fitores e shënoi në pjesën e dytë.

Pas ndeshjes ndaj Shkëndijës, Drita do t’i ketë dy ndeshje që vlerësohen dukshëm më të vështira. Më 11 dhjetor në Prishtinë e pret skuadrën e njohur holandeze, AZ Alkmaar, ndërsa garimin në stinorin e rregullt e mbyll me udhëtimin në Spanjë, te Rayo Vallecano.

Për Dritën është paraqitja e parë në fazë të ligës, përkatësisht grupore. Më herët për dy edicione rresht, pjesëmarrës në fazën grupore ishte Ballkani i Suharekës.

Në Ligën e Konferencës janë 36 skuadra. 24 prej tyre avancojnë në fazën nokaut.