Learta Hollaj, shefja e stafit të presidentes Vjosa Osmani, ka reaguar ndaj pretendimeve për skemë apo plan të organizuar prej Osmanit për rrëzim të Qeverisë.
Përpos që ka thënë se nuk janë të vërteta, Hollaj i ka cilësuar ato edhe si produkt të mendësisë që është e gatshme ta dëmtojë edhe vetë shtetin.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo“Shpifjet që po qarkullojnë për kinse puç, skemë apo plan të organizuar nga Presidentja Vjosa Osmani për rrëzimin e Qeverisë, qoftë në bashkëpunim me Ramën, Grenellin, Vuçiqin, apo me opozitën, nuk janë vetëm të pavërteta por edhe produkt i një mendësie e cila për interesa të momentit, është e gatshme të dëmtojë edhe vetë shtetin. Presidentja Osmani nuk ka qenë kurrë dhe nuk do të bëhet kurrë pjesë e skenarëve të tillë. Për të, politika nuk është terren i komploteve, por përgjegjësi ndaj Republikës, kushtetutës dhe qytetarëve tanë”, ka shkruar ajo në Facebook.
Hollaj ka deklaruar se shpifjet po tentojnë të paraqiten si narrativë politike.
“Në një kohë kur shpifjet tentojnë të paraqiten si narrativë politike, Presidentja nuk mbështetet në makineri propagandistike për të imponuar të vërtetën e saj. Por ajo mbështetet në diçka më të fortë: në të vërtetën vetë. Koha gjithmonë i ndan qartë faktet nga propaganda. Qytetarët e Kosovës do ta kuptojnë qartë se çfarë qëndron pas gjithë kësaj zhurme. Sepse në fund, propaganda do të zbehet, ndërsa e vërteta do të mbetet”, ka shtuar ajo.
Gjatë ditës, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Enver Dugolli, akuzoi dy partitë opozitare Partinë Demokratike të Kosovës e Lidhjen Demokratike të Kosovës për skenarë kundër LVV-së dhe kryetarit të saj Albin Kurti.
Ndërkaq në rrjete sociale, nga llogari e faqe të ndryshme është pretenduar se dekreti i Osmanit ka qenë pjesë e një “skeme për ta rrëzuar Albin Kurtin”. Këtu ishte marrë për bazë edhe reagimi i emisarit amerikan Richard Grenell, që në X kishte shkruar se i gëzohet shpërndarjes së Kuvendit e se shpreson në rikthimin e Hashim Thaçit nga Haga.
Osmani të premten nxori dekretin për shpërndarjen me arsyetimin se deri më 5 mars ka qenë afati kushtetues për të zgjedhur presidentin e ri. Sipas interpretimit të saj, neni 86 i Kushtetutës thekson se Kuvendi duhet që ta zgjedhë presidentin e ri jo më vonë se 30 ditë para përfundimit të mandatit të presidentit aktual (4 prill 2026, në rastin e Osmanit).
Ndërkaq akterë të Vetëvendosjes përfshirë kryetarin e saj Albin Kurti kanë përmendur nenin 82 për shpërndarjen e Kuvendit që thekson se ai mund të shpërndahet nëse brenda afatit prej 60 ditësh nga dita e fillimit të procedurës nuk zgjidhet presidenti i Republikës. Sipas tyre, ky afat ka nisur të rrjedhë në mbrëmjen e 5 marsit kur Kuvendi u mblodh por në mungesë kuorumi nuk zhvilloi asnjë rund votimi për të zgjedhur presidentin.
Vetëvendosje një ditë më parë paralajmëroi se do ta çojë dekretin në Gjykatën Kushtetuese.