Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Hoti: Kosova s’guxon të largohet nga SHBA-ja, momenti për zërin e qytetarëve

Avdullah Hoti

Avdullah Hoti

Foto: Driton Paçarada

Ish-kryeministri Avdullah Hoti ka përsëritur thirrjen e tij për protestë qytetare kundër qëndrimit të Qeverisë për të mos mbështetur opsionin e përfshirjes në rrjetin e gazit amerikan.

KOHA raportoi të shtunën se derisa SHBA-ja ka kërkuar që Kosova të bëhet pjesë e projektit rajonal për gazin amerikan, Qeveria në detyrë ka dhënë një propozim tjetër. Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka deponuar në Ambasadën Amerikane një kërkesë për mbështetje për projekte që lidhen me gazifikimin e qymyrit, duke u thirrur në rezervat e mëdha të linjitit dhe në politikat e presidentit Donald Trump për mbështetjen e industrisë së qymyrit.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Kjo sipas Hotit është provë për orientimin strategjik të Kosovës dhe për raportin me SHBA-në. Në Facebook ai ka thënë se është koha për reagim qytetar.

“Çështja e projektit të gazit është shumë më e madhe dhe më serioze sesa po paraqitet sot. Kjo nuk është vetëm një çështje infrastrukture apo energjie është një provë e qartë për orientimin strategjik të Kosovës dhe për raportin tonë me aleatin tonë historik, Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Në një kohë kur qeveria po e kundërshton këtë projekt, heshtja nuk është opsion. Reagimi qytetar është i domosdoshëm për të treguar se populli i Kosovës mbetet fuqishëm i rreshtuar krah aleancës me SHBA-në dhe vlerave euroatlantike. Kosova nuk guxon të largohet nga rruga që e ka sjellë deri këtu. Ky është moment për zërin e qytetarëve”, ka shkruar deputeti i LDK-së në Facebook.

Shtetet e Bashkuara kanë shprehur synimin ta ndryshojnë mënyrën se si furnizohet me energji Ballkani Perëndimor, duke bërë një rrjet marrëveshjesh për importin e gazit të lëngshëm.

Qëllimi është të ulet varësia e rajonit nga Rusia dhe të forcohet korridori energjetik nga jugu drejt Evropës Qendrore. Për këtë, janë planifikuar projekte në disa vende të rajonit - nga Kroacia, Bosnje dhe Hercegovina, Maqedonia e Veriut, Shqipëria dhe Mali i Zi, deri në Kosovë dhe në Serbi. Këto projekte përfshijnë gazsjellës të rinj, terminale për gazin e lëngshëm dhe termocentrale me gaz, dhe mbështeten politikisht dhe financiarisht nga SHBA-ja dhe Bashkimi Evropian.

Kosova nuk ka infrastrukturë të gazit dhe mbështetet plotësisht në termocentralet me qymyr.

Projekti për një interkonektor gazi me Maqedoninë e Veriut është përfshirë më herët në planin investues të BE-së për Ballkanin Perëndimor, por është ndalur për shkak të, siç kanë thënë nga Qeveria, kostove të larta dhe fokusit strategjik në burimet e ripërtëritshme të energjisë. Tubacioni do t’i jepte Kosovës qasje në gaz nga terminalet greke të LNG-së në Detin Egje, dhe ideja ishte të ndërtohej edhe një tubacion drejt Shqipërisë.

Kosova ka refuzuar të investojë rreth 200 milionë dollarë amerikanë në infrastrukturën e gazit përmes programit të Korporatës së Sfidave të Mijëvjeçarit (MCC) dhe i ka devijuar fondet në sistemet e ruajtjes së energjisë në bateri.