Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Hoti: Vaksina për fruthin në Kosovë jepet nga viti 1972, rënia korrespondon me vendet e tjera

Faik Hoti

Faik Hoti nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike, ka thënë se aktualisht janë gjashtë fëmijë duke u trajtuar në Klinikën Infektive të prekur me fruth. Dy prej fëmijëve të cilët kanë qenë në gjendje më të rëndë, tashmë kanë filluar të përmirësohen.

Hoti në emisionin “60 Minuta” në KTV, ka thënë se është fatkeqësi që prindërit hezitojnë t’i vaksinojnë fëmijët me këtë vaksinë që në Kosovë jepet nga viti 1972 e nuk ka asnjë dëshmi ndonjëherë për ndonjë dëm të shkaktuar.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Hoti ka bërë të ditur se rënia e vaksinimit në Kosovë korrespondon edhe me vendet e tjera, në veçanti pas pandemisë.

“Kjo vaksinë përdoret në Kosovë që nga viti 1972 dhe nuk kemi asnjë dëshmi që ndonjëherë ka shkaktuar dëm. Jemi të shqetësuar sepse mbulueshmërinë me vaksinën e kemi pasur 95%, që është një standard që garanton që të mos kemi ndonjë epidemi. Tash së fundmi ka rënë në vlerat e 82% që pak a shumë korrespondon me rënien që e kanë pësuar edhe vendet e tjera sidomos pas pandemisë Covid-19”, ka thënë Hoti.

Hoti ka deklaruar se nga data 30 prill nuk janë raportuar për raste të reja të fmëijëve të prekur me fruth.

“Nga 16 prilli deri më 7 maj kemi konfirmuar dhjetë raste të fruthit në Kosovë, prej tyre tetë i kemi trajtuar në Klinikën Infektive dhe një rast ka marrë trajtim ambulantor. Aktualisht janë gjashtë fëmijë duke u trajtuar në Klinikë, dy prej tyre kanë pasur gjendje shëndetësore të komplikuar por ka përmirësime në shëndetin e tyre. Momentalisht nuk kemi raste të reja, prej datës 30 prill nuk kemi pasur raste të reja”, ka deklaruar Hoti.

Fëmijët e prekur me fruthin janë të moshës nga 1 deri në 1 vit e gjysmë. Për të gjithë këta fëmijë, Hoti ka thënë se nuk e kanë marrë dozën e parë të vaksinës e cila jepet në dy sosh.

“Të gjithë janë fëmijë të moshës 12 deri në 18 muaj. Fatkeqësisht të gjithë që nuk e kanë marrë dozën e parë të vaksinës kundër fruthit. Këto vaksina jepen në dy doza, doza e parë jepet në moshën 12 muajshe ndërsa doza e dytë në moshën 6 vjeçare. Të gjithë këta fëmijë nuk e kanë marrë vaksinën për shkak të hezitimit apo frikës që prindërit kanë pasur rreth kësaj vaksine duke pasur dezinformata të ndryshme”, ka deklaruar Hoti.

Një muaj më parë, KOHA ka raportuar se përhapja e dezinformatave për vaksinën kundër fruthit ka ulur besimin e prindërve, duke bërë që afro 3 mijë fëmijë të mos vaksinohen me kohë gjatë vitit 2025.

Fruthi mund të trajtohet me terapi sistematike, por te rastet më të rënda mund të lërë pasoja në sistemin respirator, nervor dhe kardiovaskular.