Ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Ferit Hoxha, i ka bërë thirrje homologut serb, Marko Gjuriq, që të lihen anash retorikat e panevojshme dhe joproduktive. Në një takim në kuadër të Forumit Diplomatik të Antalias, Hoxha ka thënë se dy udhëheqësit e kanë pranuar se kanë dallime thelbësore në raport me Republikën e Kosovës.
“Nënvizova domosdoshmërinë për të ruajtur, thelluar dhe forcuar bashkëpunimin rajonal si rruga më e besueshme drejt një të ardhmeje të përbashkët, duke lënë mënjanë retorikat e panevojshme dhe joproduktive. Shqipëria mbetet e përkushtuar të investojë në qartësinë e qëndrimeve të saj, në koherencën e politikës së jashtme, si dhe në forcimin e kontakteve mes njerëzve, duke kultivuar një brez të ri me vizion të qartë evropian”, ka shkruar Hoxha në X.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoKjo deklaratë vjen pas përsëritjes së zyrtarëve serbë se aleanca Kosovë-Kroaci-Shqipëri është kërcënim për Serbinë.
Hoxha po ashtu ka shtuar se dyja shtetet dallojnë thelbësisht në qëndrimet për Kosovën. Ai ka thënë se njohja e Kosovës do të ishte kontribut për paqen afatgjatë në rajon.
“Gjithashtu, pranuam se kemi qëndrime thelbësisht të ndryshme lidhur me Republikën e Kosovës. Rikonfirmova qëndrimin e qartë dhe të palëkundur të Shqipërisë mbi rëndësinë vendimtare të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, si e vetmja rrugë e qëndrueshme drejt normalizimit të plotë të marrëdhënieve dhe njohjes reciproke, si një kontribut thelbësor për paqen e qëndrueshme dhe stabilitetin afatgjatë në rajon”, ka shkruar Hoxha.
Hoxha ka shtuar se diskutimi i tyre u përqendrua në avancimin e raporteve përmes dialogut dhe bashkëpunimit konkret, “me synim forcimin e mëtejshëm të lidhjeve ekonomike dhe tregtare, duke vlerësuar rolin e tyre në nxitjen e zhvillimit të qëndrueshëm dhe të stabilitetit rajonal”.
Hoxha ka thënë se ka marrë përgjigje pozitive për hapjen e një Konsullate të Shqipërisë në Bujanoc.