Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Hoxhaj: S’e përjashtoj mundësinë që Kurti pas zgjedhjeve ta përmbysë rendin kushtetues

Enver Hoxhaj

Kandidati i PDK-së për deputet, Enver Hoxhaj, ka thënë se nuk e përjashton mundësinë që pas zgjedhjeve kryeministri në detyrë Albin Kurti ta përmbysë rendin kushtetues në Kosovë. 

Ai ka thënë se jo larg Kosovës ka parë vende që e kanë ndryshuar sistemin politik në mënyrë aq të shpejtë, pasi sipas tij, sistemet politike nuk janë të garantuara dhe se ato mund të ndryshojnë. 

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

“Unë nuk e përjashtoj mundësinë që pas zgjedhjeve, për dy ose tri ditë e ke një situatë ku nuk ke gjykatës farë në Gjykatën Kushtetuese dhe kjo mund të jetë vet qëllim i zotëri Kurtit dhe ai propozon një Kushtetutë të re, për ta përmbysur rendin kushtetues, zotëri Kurti nuk i ka besuar kurrë kësaj Kushtetute, kurrë si ka besuar Pakos së Ahtisarit, kurrë s’i ka njohur këto institucione në mënyrë të mirëfilltë dhe rundi i parë i zgjedhjes së presidentit atë natë në Kuvendin e Kosovës ka qenë vetëm testi i parë se si mund të duket situata pas 7 qershorit”, është shprehur Hoxhaj në emisionin “Konfront” në KTV. 

“7 qershori është datë që ose me vullnetin e qytetarëve e garanton sistemin tonë politik dhe këto institucione që i kemi me shumë mund, ose ne përfudnojmë në diçka tjetër”, ka shtuar ai. 

I pyetur nëse do të bisedojnë për të arritur ndonjë marrëveshje për zgjedhjen e presidentit më Lëvizjen Vetëvendosje, ai ka thënë se PDK-ja është për dialog, por jo për nënshtrim. 

“Ne jemi për dialog, por jo për nënshtrim, nëse Kurti vend me logjikën e njëjtë dhe unë jam deputet pas 7 qershorit, që ta votojë këdo që dëshiron ai, unë nuk e votoj, as nuk qëndroj në sallë, sepse mendoj që është mënyra e vetëm për ta mbrojtur demokracinë në këtë formë, është e vetmja”, ka deklaruar Hoxhaj.


Hoxhaj: Kurti tregoi se e sheh PDK-në ngjashëm si të ishte Lista Serbe

Enver Hoxhaj i Partisë Demokratike të Kosovës ka thënë se kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, e sheh PDK-në ngjashëm siç e sheh Listën Serbe. Ai thotë se dëshmi për këtë është edhe se PDK-së ia kishte ofruar vetëm pozitën e kryeparlamentarit gjatë negociatave për postin e presidentit. 

Ai në “Konfront” të KTV-së ka thënë se PDK-ja dy herë është takuar me Kurtin dhe se propozimi final ishte vetëm pozita e kryeparlamentarit në këmbim të asaj nënkryetarit të Kuvendit. 

“Nëse e tërë saga e dialogut në mes PDK-së dhe VV-së, mbyllet me propozimin që PDK-ja mund ta ketë vetëm kryetarin e Kuvendit...Çfarë thotë kjo? Kjo thotë se ai e sheh PDK-në ngjashëm si të ishte Lista Serbe. Thotë se mund ta keni pozitën e kryetarit të Kuvendit, se jashtë vullnetit tim mund të bashkëpunojë me ju, por nuk shoh kurrfarë hapësire të vogël për dialog mes VV-së e PDK-së. Ky ishte mesazhi. Ne si politikan e lexojmë kështu”, ka thënë Hoxhaj. “Pse tha kryetarin e Kuvendit  e jo presidentin?”.


Hoxhaj: Rasti në Skenderaj tregon se ku Kurti dëshiron ta dërgojë vendin

Kandidati për deputet i PDK-së, Enver Hoxhaj, e ka akuzuar kryetarin e LVV-së, Albin Kurti, për skenar të dëmshëm për vendin. Ai ka thënë se Kurti ka paralajmëruar zgjedhje të tjera nëse nuk ka bashkëpunim politik, e për këtë Hoxhaj ka theksuar se nuk e di si do të dilej nga një situatë e tillë nëse ndodh.

Ai ka thënë se Kurti “e lansoi në mënyrë të frikshme” pretendimin se kryetari i Komunës së Skenderajt në një rast kishte tentuar ta godiste eskortën e tij. Sipas tij, kjo nuk është forma normale e komunikimit në një rast të tillë nëse ndodh. Siç ka deklaruar Hoxhaj, Kurti me këtë tregon “se ku dëshiron ta drejtojë Republikën e Kosovës” pas zgjedhjeve.

“Unë nuk e di se si do të dalim nga kjo situatë në të cilën kemi hyrë. Kurti thotë se nëse opozita sillet në mënyrën e njëjtë dhe nuk e pranon njëanshëm kandidatin që propozon ai, shkojmë përsëri në zgjedhje. Unë nuk e kam idenë se si dilet nga kjo situatë. Nëse në një vend nuk ka dialog politik, bashkëpunim, marrëveshje politik, kam frikë se e keqja mund të jetë më e madhe dhe më e rrezikshme”, u shpreh ai.


Hoxhaj: Qytetarët të mos i nënshtrohen autoritetit politik të asnjë partie

 

Kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës për deputet, Enver Hoxhaj, ka theksuar se qytetarët nuk duhet t’i nënshtrohen autoritetit politik të asnjë partie, derisa ka kritikuar qeverisjen e Vetëvendosjes dhe ka thënë se i takon opinionit publik ta gjykojë për punët që ka kryer gjatë mandatit.

Sipas tij, qytetarët duhet të kërkojnë llogaridhënie dhe programe konkrete nga udhëheqësit politikë.

“Kjo shoqëri asnjëherë nuk i është nënshtruar autoritetit dhe është mirë që të mos i nënshtrohet kurrë, por ta ketë një vlerësim kritik. Po kërkoj që në mënyrë kritike, demokratike, ne të mos i nënshtrohemi autoritetit politik të asnjë partie politike. Por nëse kryeministri i vendit nuk flet për rezultatet që i ka kryer gjatë qeverisjes së tij 7-vjeçare, nuk plason program, por na nxjerr në skena filmike, në një vend që do të jetë demokratik më nuk është punë e partive politike, por është punë e opinionit publik që e gjykon”, ka thënë Hoxhaj.


Hoxhaj: U bëjmë thirrje qytetarëve që më 7 qershor ta vënë gishtin në kokë se kë do ta votojnë

Kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës për deputet, Enver Hoxhaj, ka thënë se akuza që ka bërë kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ndaj kryetarin e Skenderajt Sami Lushtaku, se ka dashur ta godasë eskortën e tij gjatë fushatës në Skenderaj për zgjedhjet e shkurtit 2025, është jashtë çdo imagjinate.

Hoxhaj në emisionin “Konfront” të KTV-së ka thënë se si parti politike për këtë rast u besojnë institucioneve, por e ka ftuar Kurtin, siç ka thënë, të mos e përçajë e polarizojë shoqërinë dhe sipas tij, “krejt për çfarë njihet Kurti në karrierën e tij politike, është që e ka sjell në kulturën politike të Kosovës, dhunën si koncept politik”.

Ai u ka bërë thirrje qytetarëve që më 7 qershor të vendosin gishtin në kohë dhe të mendojnë se kë e kanë zgjedhur kryeministër. 

“Unë kam qenë për 15 vjet në Qeveri, edhe zëvendëskryeministër, edhe ministër i Jashtëm, edhe ministër i Arsimit, unë nuk mund ta imagjinoj një botë ku unë them që dikush bëri përpjekje të më zë pritë në formën se si po bën zotëri Kurti. Prandaj i ftoj qytetarët e Kosovës që më 7 qershor ta vendosin gishtin në kokë se kë e kanë zgjedhur kryeministër të vendit. A e meriton Republika e Kosovës dikë, i cili çfarëdo që ka ndodhur në këtë vend, ka qenë kundër çdo trendi pozitiv dhe sot përmes një koncepti puro bolshevik, synon që përsëri ta fitojë pushtetin në Kosovë”, është shprehur Hoxhaj.

Ai ka thënë se zgjedhjet e 7 qershorit duhet të fokusohen te vizionit dhe kauzat për të ardhmen e vendit, e jo te debatet dytësore politike. 

“Për çka qëndrojmë më 2026, cila është ideja, kauza, cili është motivi, për çka shkojmë në këto zgjedhje? Shkojmë në këto zgjedhje për t’u marrë a jemi në podrum, a jemi në katin e tretë, a ndodhi një incident me eskortën e kryeministrit apo nuk ndodhi? Një shoqëri kritike që ka njëmend që këtë vend ta ruajë, në këto zgjedhje duhet ta shtrojë pyetjen për çka po shkojmë në zgjedhje”, ka thënë Hoxhaj.


Gojnovci: Politikanë as vetë nuk i besojnë më sistemit të drejtësisë

Analisti politik Ejup Gojnovci ka folur për rastin e sulmit në Skenderaj ndaj zëvendësministrit Hysni Mehani dhe aktivistit të Vetëvendosjes, Bahri Zabeli. Mehani kishte akuzuar se kryetari i Skenderajt, Sami Lushtaku e ka sulmuar. 

Gojnovci në “Interaktiv” të KTV-së ka thënë se rasti në Skenderaj flet për dështimin e sistemit të drejtësisë në Kosovë. 

Ai ka folur edhe për padinë që ka bërë Lushtaku të mërkurën ndaj kryeministrit në detyrë Albin Kurti, për shpifje. 

“Atë që ka bërë z. Lushtaku pak më herët duke dorëzuar padi në organet e drejtësisë, është dashur të njëjtën ta bënte edhe ndaj z. Mehani, për denigrim e shpifje. E jo të qëronte hesapet fizikisht me të, nëse kjo ka ndodhur, sipas dëshmitarëve”, ka thënë Gojnovci. 

Ai ka thënë se ky rast tregon dështimin e sigurisë dhe dështimin e secilit prej subjekteve politike që ka pasur kompetenca në ndërtimin e sistemit të drejtësisë. 

“Kjo për shkak se politikanët vetë më nuk i besojnë sistemit të drejtësisë për të dërguar lëndë atje e të merren me ato raste”, tha Gojnovci. 

Por, ai ka vlerësuar se ky rast mes Lushtakut e Mehanit është i izoluar dhe nuk ka të bëjë me dhunë politike.