Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Hulumtimi nga ETEA: Deri në 70 për qind e nxënësve vetëdeklarojnë se referatet i kopjojnë

Agon Ahmeti

Organizata ETEA ka mbajtur panel diskutimi me temën “Flasim për lektyrat shkollore”, me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Gjuhës Amtare. Gjatë diskutimit u shpalosën, nga organizata ETEA, të dhëna nga hulumtimet mbi leximin e nxënësve. Nga këto të dhëna del se 70% e nxënësve kopjojnë në referate.

Elda Islami
 

"Deri në 70% e nxënësve vetëdeklarojnë se referatet i kopjojnë", ka konstatuar organizata joqeveritare ETEA në një hulumtim mbi lektyrat shkollore dhe leximin e nxënësve në Kosovë.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Kjo organizatë, me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Gjuhës Amtare, ka mbajtur një panel diskutimi me temën “Lektyrat shkollore”, ku folës ishin Agon Ahmeti, drejtor i ETEA-s dhe  Meliza Krasniqi nga Instituti Albanologjik, dhe gjithashtu morën pjesë në publik edhe mësimdhënës si dhe adhurues të leximit.

Gjatë panelit u shpalosën të dhëna të mbledhura gjatë vitit 2023, që lidhen me leximin e nxënësve. 

“Një raport hulumtues i ETEA-s ka pasur në fokus lektyrat shkollore. ETEA ndër vite, prej 2018, ka zhvilluar mbi pesë hulumtime për lexueshmërinë. Target grup kanë qenë nxënësit. Në vitin 2023 kemi pasur një shtrirje të gjerë. Vazhdimisht kemi marrë informacione për lektyrat shkollore; për shembull, sot lexohen ende lektyra që janë lexuar nga prindërit apo gjyshërit. Nxënësit e ndiejnë si proces obligativ e jo si atraksion gjatë leximit. Edhe për referatet, sipas gjetjeve, del se deri në 70 për qind e nxënësve vetëdeklarojnë se referatet i kopjojnë. Lektyrat shkollore konsiderohen mjeti kryesor përmes të cilit mësimdhënësi mund të krijojë shprehi leximi. Në shkollat tona është praktikë që mësimdhënësit të rekomandojnë një lekturë në muaj. Një tjetër gjetje e rëndësishme është se prindërit nuk kanë kulturë leximi dhe nuk janë model i duhur për fëmijët e tyre. Ata nuk e kujtojnë se kur i kanë parë prindërit e tyre me libër në dorë”, tha Ahmeti.

Ai theksoi se “nxënësit e përjetojnë lekturën si obligim shkollor për ta përfunduar një proces të detyrueshëm, e jo si një proces që ngjall atraksion dhe kënaqësi gjatë leximit”.

Sipas këtij raporti, 53.8% e nxënësve nuk kanë arritur t’i kujtojnë tre tituj të librave që i kanë lexuar.

“Pyetja nëse i kujtojnë tre libra që i kanë lexuar: 53.8% e nxënësve nuk kanë arritur t’i kujtojnë. Prej tyre, 12.1% nuk e kanë kujtuar as edhe një titull”, tha Ahmeti.

Një problematikë tjetër sa u përket lektyrave shkollore janë edhe tekstet e vjetra, thotë Ahmeti.

“Për shembull, sot ende vazhdojnë të lexohen lektyra që janë lexuar prej prindërve, ndonjëherë edhe prej gjyshërve tanë.”

Panelistja tjetër, Meliza Krasniqi nga Instituti Albanologjik në Prishtinë, tha se sipas saj gjuha shqipe duhet të ndahet nga letërsia.

“Kjo kornizë duhet të zgjerohet më shumë. Mënyra se si mësohet letërsia te ne bën që lektyra të jetë rezultati i fundit për nxënësit. Ata e marrin si obligim për shkak të formës se si u mësohet letërsia. Gjithmonë kam përkrahur idenë që letërsia të ndahet nga gjuha. Një problem tjetër është edhe Fakulteti i Edukimit, i cili prodhon mësues e arsimtarë që nuk janë të specializuar as për gjuhë, as për letërsi. Problemi i dytë është sistemi i mbingarkuar dhe kurrikula e Ministrisë së Arsimit. Kriteret që për një lëndë të vetme përfshijnë dy fusha të ndryshme janë të tepërta”, tha Krasniqi.

Ajo përmendi edhe mangësi të tjera në lektyrat shkollore, si gjuha seksiste, patriarkale dhe dominimi i listave të vjetra.

Sipas saj, arsimi në Kosovë duhet të fokusohet në thjeshtësimin e mënyrave të leximit, jo në metoda të imponuara. Duhet të ketë më shumë fokus në gjuhë, përmbajtje dhe kontekst.