Profesori i së drejtës, Flamur Hyseni, ka deklaruar se është i çuditshëm komoditeti i strukturave të larta të LDK-së. Ai ka thënë se është non-sens të vazhdosh të udhëheqësh në formë të një korporate apo të një bordi që ngjason me një shoqëri aksionerësh.
Hyseni në emisionin “60 Minuta” në KTV, ka deklaruar po ashtu se Kurti ka qenë i kujdesshëm në fushatën e këtyre zgjedhjeve.
“Shohim një lloj komoditeti të çuditshëm i strukturave të larta të LDK-së. I çuditshëm është ky komoditet. Si ka mundësi të mos kuptohet mesazhi i 9 shkurtit dhe të vazhdosh me një lloj qeverisje korporative, një parti e cila synon të ruajë karakterin e partisë tipike politike. Ti të vazhdosh të udhëheqësh në formë të një korporate, të një bordi që ngjason në një shoqëri aksionerësh në një parti politike është ‘non-sens’ politik. Populli e lexoi këtë. Ndodhi edhe një komunikim pak më ndryshe i liderit të LVV-së, Albin Kurti i cili në këtë fushatë ka qenë shumë i kujdesshëm”, ka thënë Hyseni.
Duke folur tutje për rezultatin e partive politike në zgjedhjet e 28 dhjetorit, Hyseni ka deklaruar që është hera e tretë që PDK-ja tregon stabilitet në raport me votën e saj megjithatë tha se kërkohet më shumë punë.
Hyseni theksoi se kjo parti ka 10 vjet që nuk e ka asnjë deputet nga rajoni i Anamoravës, ndërsa LDK-ja vetëm një përgjatë këtyre viteve.
“E kemi rajonin e Anamoravës që Partia Demokratike e Kosovës që 10 vjet nuk e ka asnjë deputet. LDK-ja që 10 vjet në atë rajon e ka vetëm një deputet. Anamorava është një rajon shumë i madh, përfshinë Gjilanin, Kamenicën, Vitinë, Novobërdën pra është një rajon që në këtë rast e ka gjetur përfaqësimin në Lëvizjen Vetëvendosje. Duhen shikuar edhe reformat sepse edhe reformat kanë kuptim. Nuk krijohet një politikan brenda javës”, ka deklaruar Hyseni.
Sa i përket mundësisë që në pranverë të ketë sërish zgjedhje, profesori Hyseni deklaroi se nuk do të duhej t’i lihej përgjegjësia e plotë Kurtit në këtë rast për zgjedhjen e presidentit pavarësisht që e ka shumicën në Kuvendin e Kosovës, kjo pasi duhet numër më i madh i votave që duhen për ta përcaktuar këtë pozitë.
Profesori Hyseni, deklaroi se partitë politike së paku do të duhej që të qëndronin në sallë për ta bërë kuorumin, ndërsa sipas tij nuk përjashtohet mundësia që LDK-ja të veprojë njësoj sikurse herën e kaluar në raport me zgjedhjen e Vjosa Osmanit sërish në këtë pozitë.
“Nëse nuk dëshirojnë të marrin pjesë në një marrëveshje së paku ta kryejnë obligimin kushtetues që të krijojnë kuorumin prej 80 për të filluar procedura e pastaj mund të zgjidhet presidenti/presidentja me 61 vota. E kemi pasur këtë praktikë disa herë deri më tani. Do të luajë rol emri i presidentit por kuorumin e kanë obligim ta bëjnë të gjitha partitë. Kur është zgjedhur Osmani ka pasur pikërisht një situatë të tillë kur kishte këtë rolin nga Lidhja Demokratike e Kosovës. Nuk përjashtohet mundësia ta ketë prapë”, deklaroi Hyseni në emisionin “60 Minuta” në KTV.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, po e synon edhe një mandat tjetër si presidente e vendit. Ajo ka thënë se po pret për formimin e institucioneve të reja dhe paralajmëroi bisedime për mbështetje të kandidaturës së saj.
Osmani ka thënë se “synoj të vazhdoj angazhimin politik edhe nëse nuk zgjidhem presidente”.
Osmani poashtu ka theksuar se kjo është një çështje që do ta vendosë parlamenti i ri, mirëpo ajo përsëriti që angazhimin politik nuk do ta ndërpresë.