Zgjim Hyseni nga Partia Socialdemokrate ka thënë se Kosova nuk duhet të shërbejë si vend që pranon t’i mbajë refugjatët e refuzuar nga Britania e Madhe.
Në “Konfront” të KTV-së, Hyseni e ka cilësuar shkelje të të drejtave të njeriut një gjë të tillë.
E Hyseni ka thënë se njerëzit që kërkojnë të ndërrojnë vend nuk janë ata që synojnë vetëm karrierë, por njerëz të përjashtuar, të varfër e që kërkojnë ekzistencë. E për këtë shkak, sipas tij, duke u bazuar në të kaluarën Kosova do të duhej të kishte qëndrim tjetër.
“Për situatën konkrete, çka ne është dashur të dimë është se Kosova është nga ato vende që do të duhej të kishte edhe qëndrim moral për këtë punë. Shqiptarët janë popull i emigrantëve, i refugjatëve. Nuk mundemi ne me aq lehtësi të madhe të shërbejmë si një shtet që i mban në kafaz njerëzit e përjashtuar prej vendeve të treta sepse është sikur shqiptarët e viteve të ‘60-ta, ‘70-ta, ’80-ta e ‘90-ta që janë detyruar të largohen prej Kosovës të mbahen të mbyllur aty e të kthehen. Ne jemi një popull që është dashur të mundemi të mendojmë edhe kështu”, ka thënë ai.
Hyseni ka thënë se një veprim i tillë, si ai që ka bërë Kurti, bëhet kryesisht nga “qeveritë të ekstremit të djathtë për të mos thënë parafashiste”.
Ai ka hedhur dyshime se kjo edhe nuk ka qenë kërkesë e Britanisë, por vetëm ofrim i Kosovës.
