Arbëri

IKD-ja kërkon hetim penal për dyshimet mbi manipulimet me vota në Mitrovicën e Jugut

votat

Ilustrim

Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) ka kërkuar hetim të mirëfilltë penal për të sqaruar të gjitha paqartësitë e ngritura pas raportimeve për dyshime të manipulimeve me vota gjatë procesit zgjedhor të 9 nëntorit në Mitrovicën e Jugut.

Sipas IKD-së, mungesa e transparencës nga Prokuroria e Shtetit dhe Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka krijuar pasiguri dhe ka cenuar besimin e qytetarëve në procesin zgjedhor.

“Veprimet e deritanishme nuk kanë ofruar dëshmi dhe sqarime të besueshme për publikun, gjë që është thelbësore për të ruajtur integritetin e zgjedhjeve”, thuhet në reagim.

Gjatë verifikimit të votave për kryetar të komunës, janë evidentuar fletëvotime me numra serikë që nuk përputhen me vendvotimet përkatëse, si dhe fletëvotime pa numër serik. IKD-ja thotë se një fenomen i ngjashëm është vërejtur edhe në Komunën e Gjakovës, megjithëse në përmasa më të vogla.

KQZ-ja e ka arsyetuar rastin si “gabim teknik” nga kompania që ka shtypur fletëvotimet, “CETIS”, por IKD-ja vlerëson se një përgjigje e tillë nuk mjafton për të shuar dyshimet e ngritura. Sipas institutit, KQZ-ja si organ kushtetues nuk mund të delegojë përgjegjësinë te një kompani private, duke e cilësuar këtë si “abstenim nga kompetencat kushtetuese dhe ligjore”.

IKD-ja thekson se kompania “CETIS” ka vetëm përgjegjësi kontraktuale, dhe për këtë arsye, rasti duhet të trajtohet përmes një hetimi të plotë penal, për të përcaktuar nëse bëhet fjalë për gabim teknik apo manipulim të vullnetit qytetar.

Në reagim, IKD-ja kritikon edhe Prokurorinë Themelore të Mitrovicës, e cila sipas tyre, “vetëm ka noterizuar qëndrimin e KQZ-së, pa ndërmarrë veprime konkrete hetimore”.

Instituti kërkon që Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit ta marrë këtë rast nën juridiksion ose ta transferojë në një prokurori tjetër, në mënyrë që të garantohet hetim profesional, i pavarur dhe transparent.

“Mosadresimi i këtyre dyshimeve rrezikon regres në standardet demokratike dhe cenon besimin e qytetarëve në zgjedhje të lira e të ndershme”, paralajmëron IKD-ja.