Arbëri

IKD: Moskonstituimi i Kuvendit rrezikon bllokimin e institucioneve të pavarura

Kuvendi i Kosovës

Foto: Driton Paçarada

Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) ka paralajmëruar të hënën se moskonstituimi i Kuvendit rrezikon bllokimin e institucioneve të pavarura.

Sipas IKD-së, mosefikasiteti dhe dështimi për t’i emëruar anëtarët në organeve kolegjiale dhe individuale, të cilat i ka për detyrë t’i emërojë Kuvendi, është bartur në Legjislaturën e IX-të, e cila po vazhdon të mbetet e pakonstituuar që nga data 15 prill. 

“Pasojat e moskonstituimit janë tashmë të dukshme në mosfunksionimin e disa organeve dhe do të bëhen edhe më të qarta në muajt e ardhshëm, për shkak të skadimit të mandateve të tjera”, thuhet në një reagim të IKD-së. 

“Përgjegjësia kryesore për këtë situatë i takon shumicës parlamentare të legjislaturës së kaluar, e cila, ndonëse kishte fuqinë për t’i realizuar këto emërime, zgjodhi të mos veprojë, duke lënë pas dore dhe neglizhuar obligimet kushtetuese dhe ligjore", thuhet më tej në reagim.

IKD-ja thotë se ka identifikuar një numër institucionesh dhe agjencish të pavarura që tashmë funksionojnë me vështirësi të theksuara dhe të tjera që janë në prag të jofunksionalitetit institucional për shkak të mungesës së konstituimit të Kuvendit dhe dështimit për të përmbyllur procedurat e domosdoshme të emërimeve.

Lista e institucioneve që po funksionojnë me mungesa të anëtarëve ose janë jofunksionale për shkak të mosveprimit të Kuvendit, sipas IKD-së është e gjatë dhe këtu përfshihen institucionet si: Gjykata Kushtetuese, Organi Shqyrtues i Prokurimit, Institucioni i Avokatit të Popullit, Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës, Agjencia Kosovare e Pronës, Fondi i Kursimeve Pensionale të Kosovës, Komisioni i Pavarur për Media (KPM) etj. 

IKD-ja kërkon që Kuvendi i Republikës së Kosovës të konstituohet menjëherë, pa vonesa të mëtejshme, dhe të fillojë përmbushjen e detyrimeve kushtetuese për emërimin e anëtarëve në institucionet e pavarura.