Mbetjet e tre personave që Hamasi ia dorëzoi Kryqit të Kuq këtë javë nuk i përkasin asnjërit prej pengjeve, njoftoi Izraeli të shtunën.
Kjo konsiderohet një tjetër pengesë që mund ta dëmtojë armëpushimin e ndërmjetësuar nga SHBA-ja midis Izraelit dhe Hamasit, raporton AP.
Mbetjet e tre personave të tjerë, që nuk janë identifikuar, u kthyen në Izrael të premten mbrëma dhe u ekzaminuan gjatë natës.
Një zyrtar ushtarak izraelit kishte paralajmëruar se sipas të dhënave të inteligjencës, këto mbetje nuk i përkisnin asnjërit prej pengjeve të marrë nga militantët palestinezë gjatë sulmit të 7 tetorit 2023 në jug të Izraelit - sulm që shkaktoi nisjen e luftës. Zyrtari foli në kushte anonimiteti, pasi nuk kishte leje të fliste për median.
Zyra e kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu konfirmoi të shtunën se mbetjet nuk i përkasin asnjë pengu, pa dhënë hollësi të tjera.
Në një deklaratë më pas, grupi palestinez tha se të premten kishte ofruar t’i dorëzonte Izraelit mostra të trupave të paidentifikuar, por se Izraeli kishte refuzuar dhe kishte kërkuar marrjen e mbetjeve për ekzaminim.
“Ne i dorëzuam trupat për t’i dhënë fund pretendimeve të Izraelit”, thuhej në deklaratë.
Nuk dihet ende kujt i përkasin këto mbetje.
Që nga hyrja në fuqi e armëpushimit të ndërmjetësuar nga SHBA më 10 tetor, militantët palestinezë kanë dorëzuar mbetjet e 17 pengjeve që ishin mbajtur në Gaza për dy vjet.
Megjithatë, procesi i kthimit të trupave të 11 pengjeve të fundit, siç parashikon marrëveshja e armëpushimit, po ecën ngadalë pasi militantët po dorëzojnë vetëm një ose dy trupa çdo disa ditë.
Në total, që nga fillimi i armëpushimit, Izraeli ka kthyer 225 trupa palestinezësh. Vetëm 75 prej tyre janë identifikuar nga familjet, sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Gaza.