Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) ka njoftuar se nuk do të marrë pjesë në dëgjimin publik të planifikuar për sot për Projektligjin për Byronë Shtetërore për verifikimin dhe konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme, duke e cilësuar procesin si formal dhe të përshpejtuar.
Sipas IKD-së, mënyra se si Kuvendi i Kosovës përkatësisht Komisioni për Legjislacion ka organizuar dëgjimin publik nuk përmbush standardet minimale të konsultimit, pasi ftesa është publikuar më pak se 24 orë para mbajtjes së takimit.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoInstituti vlerëson se kjo qasje bie ndesh me Rregulloren e Kuvendit, e cila kërkon që njoftimi për dëgjim publik të bëhet të paktën pesë ditë më herët, së bashku me materialet përkatëse. Për pasojë, sipas IKD-së, pjesëmarrja e akterëve relevantë reduktohet në formalitet dhe jo në kontribut real profesional.
IKD-ja rikujton se ky projektligj është rrëzuar dy herë nga Gjykata Kushtetuese, një herë për përmbajtje dhe një herë për procedurë, ndërsa tani po trajtohet për herë të tretë. Sipas tyre, në të kaluarën kanë munguar konsultimet publike ose ato janë zhvilluar me afate të shkurtuara në mënyrë arbitrare.
Tutje, IKD-ja shpreh shqetësim se zhvillimi i këtij dëgjimi publik në prag të shpërndarjes së Kuvendit lë përshtypjen se qëllimi kryesor është procedimi i shpejtë i projektligjit, e jo një diskutim i mirëfilltë dhe gjithëpërfshirës.
Për këto arsye, IKD-ja thekson se pjesëmarrja në këtë proces do të nënkuptonte legjitimim të një procedure të përshpejtuar dhe jo adekuate, duke shtuar se mbetet e gatshme të kontribuojë në procese serioze dhe të rregullta konsultimi në të ardhmen.