Arbëri

Institucionet dështuan në parandalimin e përmbytjeve

Vershimet-Malisheve

Foto: Driton Paçarada

Vetëm 37 për qind e rekomandimeve të Zyrës Kombëtare të Auditimit për përmirësim të mënyrës së menaxhimit të emergjencave janë zbatuar plotësisht për vitin 2023, ka bërë të ditur Vlora Spanca, auditore e përgjithshme e Kosovës.

Në një shkrim në Facebook, ajo ka treguar se raporti i auditimit “Parandalimi dhe reagimi ndaj situatave emergjente: Vërshimet”, i vitit 2021, pati nxjerrë në pah se institucionet nuk kanë arritur të krijojnë sistem të përshtatshëm që siguron në mënyrë efektive parandalimin dhe reagimin ndaj situatave emergjente të vërshimeve/përmbytjeve në Kosovë.

Spanca ka thënë se raporti kishte për subjekt Agjencinë për Menaxhim Emergjent në kuadër të Ministrisë së Punëve të Brendshme, Qendrën e Situatave në kuadër të Këshillit të Sigurisë së Kosovës si dhe Forcën e Sigurisë së Kosovës. Përderisa në nivel lokal, komunat Gjakovë dhe Vushtrri ishin përzgjedhur duke marrë parasysh shpeshtësinë e fatkeqësive të ndodhura në këto komuna për periudhën e fushëveprimit 2019, 2020 deri në janar të vitit 2021.

“Përfundimet audituese kanë nxjerr në pah  se institucionet përgjegjëse nuk kanë arritur të krijojnë një sistem të përshtatshëm i cili siguron në mënyrë efektive parandalimin dhe reagimin ndaj situatave emergjente të vërshimeve/përmbytjeve në Republikën e Kosovës.  Me qëllim të përmirësimit të mënyrës së menaxhimit të emergjencave, ishin dhënë 11 rekomandime për institucionet përgjegjëse.  Niveli i përgjithshëm i zbatimit të rekomandimeve të auditimit në nivel vendi mbetet i ulët, vetëm 37% e rekomandimeve tona të dhëna për vitin 2023 janë zbatuar plotësisht”, ka shkruar tutje ajo.

Përmbytjet e ditëve të fundit kanë shkaktuar dëme të konsiderueshme në disa komuna. Autoritetet lokale kanë nisur t’i hapin proceset e aplikimit për vlerësim të dëmeve. E pas përmbytjeve të disa ditëve, reshjet kanë shkaktuar telashe edhe të shtunën duke bërë që të bllokohen edhe rrugë të rëndësishme.