Rrahmon Mehmeti nga lagjja “Taslixhe” e Prishtinës ka një sërë ankesash për bllokun banesor ku jeton.
Ai thotë se ky objekt është pa leje dhe, sipas tij, duke nisur nga shkallët, shumë punë të tjera fizike nuk janë kryer si duhet kur është përfunduar ndërtimi para disa vjetësh, raporton KOHA.
Tutje, Mehmeti e quan problematik moslegalizimin e objektit deri tani, ndërsa të vështirë e vlerëson nisjen e procedurave për legalizimin vetëm të banesës së tij.
Kurse, Komuna thotë se nuk ka mundësi ligjore t’ua ndalojë kompanive ndërtuese vazhdimin e ndërtimeve të reja, për aq kohë sa nuk i legalizojnë të vjetrat.
Megjithatë, drejtori i Ubranizmit në Prishtinë, Ardian Olluri fton qytetarët që individualisht të aplikojnë për legalizimin e banesave të tyre. Në fund të procesit, Olluri thotë se për shpenzimet gjatë legalizimit banorët kanë të drejtë të kërkojnë kompensim nga investitori i cili nuk ka kryer këtë obligim.
Në anën tjetër, njohësi i fushës së ndërtimit, Masar Dushi, thotë se për zgjidhjen e këtyre problemeve, Komuna duhet të bashkëpunojë ngushtë me banorët dhe investitorët.
Sipas regjistrimit të vitit 2016, në kryeqytet ekzistojnë 46 mijë ndërtime pa leje.
Këtë vit, sipas Drejtorisë së Urbanizmit, ka përfunduar legalizimi dhe regjistrimi në kadastër i 120 objekteve. Ndërsa në pritje për përfundimin e procedurave të legalizimit janë edhe 100 objekte.