Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka thënë se presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq tentoi ta prishë takimin në kuadër të Samitit Brdo-Brioni në Durrës, dhe se u ankua për aleancën ushtarake mes Kosovës-Shqipërisë dhe Kroacisë. Për mospajtimet me Osmanin para mediave serbe u deklarua edhe Vuçiqi duke thënë se presidentja e Kosovës s’ka të drejtë të flas për integritetin territorial
Përplasje mes presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq ka pasur në takimin e Samitit të Bërdo-Brionit, që të hënën është mbajtur në Durrës.
Tek foli për zhvillimet brenda takimit me liderët e vendeve të Ballkanit Perëndimor, presidentja Osmani tha se presidenti i Serbisë ka tentuar ta prishë takimin duke u drejtuar me arrogancë e fyerje. Mes tjerash, presidenti serb u ankua edhe për aleancën që Kosova, Shqipëria dhe Kroacia e nënshkruan në fillim të këtij vitit në fushën e mbrojtjes.
“Arritëm në fund që të miratojmë deklaratën e përbashkët me unanimitet dhe natyrisht për çdo propagandë që Vuçiq synonte të prezantonte para pjesëmarrësve, ne si Republikë e Kosovës kishim argumentet tona të fuqishme. Argumentet në anën e së drejtës dhe ato që janë fuqizuar edhe nga e drejta ndërkombëtare. Si Kosovë jemi pro bashkëpunimit rajonal, por të njëjtën kohë do të mbrojmë interesin tonë shtetëror, do të mbrojmë sovranitetin dhe integritetin territorial”, ka thënë Osmani.
Osmani shtoi tutje se aleanca ushtarake Kosovë-Shqipëri-Kroaci nuk është e drejtuar kundër askujt.
“Vuçiq kishte ankesa për paktin tonë dhe marrëveshjen e përbashkët Kosovë, Shqipëri dhe Kroaci në fushën e mbrojtjes. Ai mori rikonfirmimin tonë të përbashkët se kjo shënon një bashkëpunim që ka për qëllim mbrojtjen tonë. Përgjigjja ime ishte që në tërë historinë e ekzistencës tonë si komb, ne askund nuk kemi sulmuar dhe pushtuar askënd, por gjithnjë kemi mbrojtur dhe do të vazhdojmë ta mbrojmë vetveten. Aleancat tona janë aleanca mbrojtëse për të na mbrojtur nga rreziqet që na vijnë nga të tjerët. Në rastin tonë konkret, rreziku vjen nga Serbia”, theksoi ajo.
Mosmarrëveshjet me presidenten e Kosovës i konfirmoi edhe Vuçiqi, duke thënë se ato erdhën në diskutimin për integritetin territorial.
“Imagjinoni kur Vjosa Osmani vjen dhe flet për integritetin territorial dhe mbrojtjen e integritetit territorial. Dhe pastaj barku juaj kthehet përmbys, dhe të gjithë të tjerët dëgjojnë, duke tundur kokën... Kështu që ne ia kujtuam ditët e saj të turizmit në Kombet e Bashkuara, uruam më shumë turizëm në jetën e saj dhe kaq”, ka thënë ai.
Sipas Vuçiqit, në samit nuk kanë shkuar si shtete por vetëm me emra, gjë të cilën e ka cilësuar trashëgimi të mirë e këtij procesi.
“Kam thënë dhe kam folur për atë lloj hipokrizie, standarde të dyfishta, ku secili prej nesh në fakt përpiqet të marrë diçka në kurriz të tjetrit dhe kemi pak qasje të përbashkët në zgjidhjen e problemeve në Ballkanin Perëndimor”, ka thënë Vuçiq.
Në Samitin që u mbajt në qytetin bregdetar të Shqipërisë, u tha se përshpejtimi i procesit të integrimit të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian është i domosdoshëm për t’i shmangur rreziqet që i kanosen rajonit.