Inteligjenca Artificiale po ndryshon rrënjësisht mënyrën se si prodhohen dhe konsumohen lajmet në Kosovë. Nga njëra anë, ajo u jep gazetarëve mjete të fuqishme për analizë, përkthim dhe verifikim të informacionit në kohë reale, duke ndihmuar në tejkalimin e barrierave gjuhësore mes komuniteteve. Por, në anën tjetër, rrit edhe rrezikun e përhapjes së dezinformatave dhe përmbajtjeve të manipuluara. Ekspertët theksojnë se përdorimi i kujdesshëm i AI-së mund të shërbejë si një urë për bashkëpunim dhe transparencë, megjithatë roli i gazetarëve mbetet kyç për të garantuar të vërtetën.
Inteligjenca Artificiale po shndërrohet në një nga faktorët më ndikues në transformimin e mediave moderne, duke prekur jo vetëm mënyrën se si prodhohet dhe shpërndahet informacioni, por edhe mënyrën se si ai perceptohet nga publiku.
Në një peizazh kompleks mediatik si ai në Kosovë, ekspertët vlerësojnë se Inteligjenca Artificiale po shfaqet si një mjet me potencial të dyfishtë: mund të jetë një armë e fuqishme për manipulim ose një urë jetike për bashkëpunim dhe paqe.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoSipas tyre, sfida kryesore për gazetarët mbetet krahasimi i lajmeve që qarkullojnë në gjuhët e komuniteteve me ato në gjuhën shqipe, si gjuhë e shumicës, me qëllim identifikimin e dezinformatave që shpesh ushqejnë ndarjet dhe keqkuptimet.
Ndikimi i AI-së nuk duhet parë vetëm si një lehtësim teknik për gazetarët, por si një mundësi për të thyer izolimin informativ.
Përmes mjeteve të përparuara të përkthimit dhe analizës, tashmë ekziston mundësia për të monitoruar në kohë reale narrativat që shpërndahen në gjuhë të ndryshme, duke identifikuar shpejt lajmet e rreme që synojnë të polarizojnë shoqërinë.
Ky proces krahasimi ndihmon në çmontimin e propagandës dhe zëvendësimin e saj me fakte të verifikuara, duke siguruar që çdo qytetar i Kosovës, pavarësisht përkatësisë etnike apo gjuhësore, të ketë qasje në të njëjtën të vërtetë.
Megjithatë, për të siguruar një mjedis mediatik të qëndrueshëm dhe paqësor, kërkohet vigjilencë ndaj rreziqeve që sjell përdorimi i pakontrolluar i teknologjisë.
Sipas drejtorit ekzekutiv të Sbunker-it, Fitim Gashi, AI ka sjellë një transformim të dukshëm në punën e mediave.
“Në njërën anë rrit kapacitetet për analizë dhe prodhim të përmbajtjes, ndërsa në anën tjetër rrit kompleksitetin e sfidave, sidomos në luftën kundër dezinformatave”, thekson Gashi.
AI mund të ndihmojë në analizimin e të dhënave dhe verifikimin fillestar të informacionit, por gjithashtu po përdoret për krijimin e përmbajtjeve të rreme – nga tekste e deri te video dhe foto të manipuluara.
Komunikimi mes komuniteteve dhe roli i AI-së
Inteligjenca Artificiale po u ofron gazetarëve mjete që deri dje dukeshin të pamundura. Analiza e sasive të mëdha të të dhënave, monitorimi në kohë reale i dezinformatave në rrjetet sociale dhe transkriptimi i shpejtë i intervistave janë vetëm disa nga përparësitë. Por, në kontekstin tonë, fuqia më e madhe e AI-së qëndron te tejkalimi i barrierave gjuhësore.
Përmes mjeteve të përkthimit automatik, përmbajtja mediale mund të bëhet më e qasshme për të gjitha komunitetet në Kosovë, duke nxitur një mirëkuptim më të mirë dhe një komunikim më të rrjedhshëm mes mediave në gjuhë të ndryshme.
Edhe hulumtuesja në platformën për verifikimin e fakteve, Hibrid.info, Hyrije Mehmeti, vlerëson se AI mund të përmirësojë cilësinë e raportimit, nëse përdoret me përgjegjësi.
Ajo thekson se AI ndihmon në analizën e të dhënave, monitorimin e rrjeteve sociale dhe automatizimin e proceseve si transkriptimi apo përkthimi. Megjithatë, siç theksojnë të dy ekspertët, Gashi dhe Mehmeti, vendimmarrja editoriale dhe verifikimi përfundimtar duhet të mbeten gjithmonë në duart e gazetarëve.
Në të njëjtën linjë, eksperti i inteligjencës artificiale, Arbian Shkodra, nënvizon se tashmë është teknikisht e mundur të ndërtohen sisteme që verifikojnë lajmet në kohë reale, duke i krahasuar ato me burime të besueshme.
“Këto sisteme mund të sinjalizojnë përmbajtje të dyshimta dhe t’u sugjerojnë gazetarëve burime për verifikim të mëtejshëm, duke e bërë procesin më të shpejtë dhe më efikas”, thekson Shkodra.
Sipas Gashit, kjo është veçanërisht e rëndësishme për identifikimin e hershëm të narrativave dezinformuese që mund të nxisin tensione ndëretnike.
Edhe Mehmeti shton se përkthimi i shpejtë i lajmeve mund të rrisë transparencën dhe të zvogëlojë keqkuptimet, megjithatë duhet gjithmonë të shoqërohet me verifikim dhe përshtatje editoriale.
“Për shembull, teknologjitë e përkthimit automatik mund të mundësojnë që përmbajtjet mediale të jenë më lehtë të qasshme në gjuhë të ndryshme. Kjo mund të ndihmojë që informacioni të qarkullojë më lirshëm mes mediave dhe publikut të komuniteteve të ndryshme”, ka thënë Mehmeti.
Megjithatë, potenciali i AI-së shoqërohet me rreziqe serioze. Prodhimi masiv i përmbajtjeve të rreme, deepfake-ve dhe materialeve manipuluese është një nga sfidat kryesore për mediat.
Gashi paralajmëron se këto përmbajtje shpesh përhapen gjatë periudhave të ndjeshme, si krizat politike apo proceset zgjedhore. Në hulumtimet e organizatës Sbunker janë identifikuar raste kur narrativa të manipuluara për situatën e sigurisë apo zhvillimet politike në Kosovë janë shpërndarë në mënyrë të koordinuar në platforma të ndryshme, përfshirë kanalet në Telegram.
“Në disa raste, përmbajtjet kanë përfshirë edhe fotografi të krijuara me AI për të nxitur reagime emocionale dhe për të përforcuar narrativa polarizuese. Këto zhvillime tregojnë se Inteligjenca Artificiale mund të përdoret jo vetëm për informim, por edhe për manipulim të opinionit publik”, thotë Gashi.
Përveç rrezikut të manipulimit, ekspertët theksojnë edhe sfida të tjera si paragjykimi i modeleve (bias) dhe mungesa e të dhënave në gjuhët lokale.
Eksperti Shkodra pohon se shumë modele janë më të avancuara në gjuhën angleze dhe mund të kenë performancë më të kufizuar në gjuhët e rajonit, çka rrit rrezikun për pasaktësi.
“Nëse një model trajnohet kryesisht me burime nga një perspektivë e caktuar, ai mund të reflektojë atë njëanshmëri edhe në analizat e tij. Kjo është veçanërisht e ndjeshme në një kontekst si Kosova, ku ekzistojnë narrativa të ndryshme mes komuniteteve. Për këtë arsye, është thelbësore që sistemet të trajnohen me burime të balancuara”, deklaron Shkodra.
Sfida e dezinformimit dhe “halucinacionet” e AI-së
Përkundër përfitimeve, rreziqet mbeten alarmante. Prodhimi masiv i përmbajtjeve të rreme dhe krijimi i materialeve deepfake po kërcënojnë integritetin e informacionit. Një fenomen shqetësues është ai i “halucinacioneve”, ku sistemet e AI-së gjenerojnë informacione të pasakta që duken jashtëzakonisht bindëse.
Raportet e fundit kërkimore të vitit 2025 konfirmojnë se modelet e mëdha gjuhësore (LLM) shpesh shfaqin paragjykime dhe nuk mund të konsiderohen burime neutrale për çështje sensitive politike apo gjeopolitike në Ballkan. Kjo e bën verifikimin njerëzor më të rëndësishëm se kurrë më parë.
Të gjithë ekspertët pajtohen se përdorimi i AI në media duhet të shoqërohet me rregulla të qarta etike.
“AI mund të përdoret për të prodhuar përmbajtje manipuluese në shkallë të gjerë, duke përforcuar narrativat polarizuese ose propagandistike. Në raportin kërkimor ‘Versioni i së vërtetës sipas Chatbot-it’, të cilin e kemi publikuar në dhjetor 2025 dhe i cili po vlerësohet në nivel ndërkombëtar, kemi analizuar mënyrën se si modelet e mëdha gjuhësore (LLM-të) formësojnë, dhe herë pas here shtrembërojnë narrativat gjeopolitike, me fokus në Kosovë dhe Ballkanin Perëndimor, brenda një krahasimi më të gjerë global. Studimi konfirmon se LLM-të nuk mund të konsiderohen burime të qëndrueshme, neutrale ose të pavarura për çështje politike dhe gjeopolitike. Për këtë arsye theksohet nevoja për verifikim të shumëfishtë, transparencë në trajnimin e modeleve, si dhe rritje të edukimit medial për përdoruesit. Pra, është shumë e rëndësishme që përdorimi i AI në media të shoqërohet me mekanizma verifikimi dhe mbikëqyrje editoriale”, thekson Mehmeti.
Por Gashi nënvizon se gazetarët duhet të kenë udhëzime për përdorimin e saj, ndërsa shton se transparenca ndaj audiencës është thelbësore për ruajtjen e besimit.
“Nëse një përmbajtje është prodhuar ose ndihmuar nga AI, publiku duhet të informohet për këtë”, thekson Gashi. Kjo praktikë tashmë po diskutohet gjerësisht edhe në vendet e Bashkimit Evropian.
Në të ardhmen, AI pritet të bëhet pjesë integrale e punës së mediave në Kosovë – nga analiza e të dhënave deri tek identifikimi i fushatave të dezinformimit.
Megjithatë, suksesi i saj do të varet nga mënyra se si përdoret.
Ekspertët theksojnë se mediat duhet të investojnë në trajnimin e gazetarëve, të hartojnë politika të brendshme për përdorimin e AI-së dhe të bashkëpunojnë me organizatat e shoqërisë civile dhe institucionet.
Sipas tyre, Inteligjenca Artificiale nuk duhet parë si zëvendësim për gazetarinë, por si një mjet i fuqishëm që, nëse përdoret me përgjegjësi, mund të ndihmojë në ndërtimin e një hapësire mediatike më të besueshme dhe gjithëpërfshirëse.
Kosova mbetet prapa vendeve të rajonit, pasi deri më tani nuk ka ndërmarrë hapa konkretë për zhvillimin dhe përdorimin e Inteligjencës Artificiale.
Ndërkohë, Shqipëria dhe Serbia kanë miratuar strategjitë për AI për periudhën 2025–2030. Madje, Shqipëria ka krijuar edhe një ministri të dedikuar për Inteligjencën Artificiale.
E pyetur për hapat konkretë që kanë ndërmarrë ose jo institucionet kosovare në këtë drejtim, Ministria e Tregtisë, Industrisë dhe Inovacionit nuk ka kthyer përgjigje.
(Ky tekst është realizuar nga bashkautorët: Figen Shaban dhe Driton Mehmeti, në kuadër të një projekti të përbashkët mes AGK-së dhe UNMIK-ut, i cili synon promovimin e bashkëjetesës ndërmjet komuniteteve)