Profesori Berim Ramosaj ka thënë se një e djathtë e bashkuar në zgjedhjet e 7 qershorit mund të prodhojë efekte pozitive. Ramosaj në “Konfront” të KTV-së ka thënë se janë dy sfida kryesore në zgjedhjet e parakohshme të qershorit.
E para, e që tha se është më e mundshme, është riciklimi i situatës së njëjtë. Dhe e dyta është që nga këto zgjedhje të dalë një fuqi politike që garanton funksionalitet politik.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo“Alternativa e dytë ka disa elemente që po fillohen të ndërtohen në opinionin publik. Është fjala për koalicionin e një të djathte të bashkuar. Kur thuhet e djathta e bashkuar nuk mjafton në nivel të një partie politike. E kam dëgjuar këtë nga Lidhja Demokratike. E djathta e bashkuar mund të ketë efekte pozitive në ndërtimin institucional ndoshta, sepse prodhon fuqi politike funksionale, nëse partitë e djathta gjejnë pika të bashkëpunimit. PDK-ja, LDK-ja dhe AAK-ja, pasi në një mënyrë këto tri parti janë të proklamuara si të djathta”, tha Ramosaj.
Më 7 qershor, qytetarët e Kosovës do të dalin për të votuar për herë të tretë në zgjedhje parlamentare në më pak se dy vjet, kjo pasi më 28 prill deputetët e legjislaturës së dhjetë, dështuan të zgjedhin një president dhe vendi automatikisht shkoi në zgjedhje brenda 45 ditësh.
Vetëvendosje i ka akuzuar partitë e tjera që nuk qëndruan në sallë për ta bërë kuorumin prej 80 votash të domosdoshme për rundin e parë dhe të dytë për zgjedhjen e presidentit. E partitë tjera akuzuan Vetëvendosjen për mosbashkëpunim dhe për tentim të kapjes së të gjitha pozitave shtetërore.
Ramosaj: Oferta e Kurtit për Abdixhikun nuk ishte e sinqertë
Profesori Berim Ramosaj, ka thënë se kryeministri në detyrë Albin Kurti, nuk ishte i gatshëm që të jepte pozitën e presidentit. Ai e ka quajtur joserioze edhe ofertën që ia ofroi kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku.
Ramosaj në emisionin “Konfront” në KTV, ka deklaruar se nuk mund të prodhonte asnjë rezultat edhe nëse LDK-ja ka pasur kandidat sepse dihej që do të fitonte kandidati i LVV-së me votat e deputetëve që i posedonte.
“Vetë vakti që Lëvizja Vetëvendosje nuk e tejkaloi vetveten por i propozoi dy përfaqësuesit më të fuqishëm të partisë në fillim për president e pastaj i tërheqi e edhe ajo tërheqje nuk ishte prapë serioze, faktikisht nuk ishte ofertë që mund të prodhonte rezultat. Kurse, LDK-ja a ka pasur kandidat apo jo, a ka ofruar në mënyrë të sinqertë ato nënshkrime apo jo, nuk mund të spekuloj por në kuptimin kur do të ishin ulur përfaqësuesit e partive politike dhe jo të luhet me emra sepse cilindo emër që do e hidhte LVV-ja do të fitonte. Të propozosh kandidat të varur e t’i thuash të pavarur s’ka kuptim. Të thuash po e hedh në votim unë një emër e hidhe edhe ti s’ka kuptim sepse fituesi dihej ende pa filluar gara”, ka thënë Ramosaj.
Ramosaj për opozitën: Kopjuan pjesën më të keqe e antisistem të partisë në pushtet
Profesori Berim Ramosaj, ka thënë se Partia Demokratike por sidomos Lidhja Demokratike e Kosovës ishin parti shumë institucionaliste mirëpo po e kopjojnë Lëvizjen Vetëvendosje si një parti e kundërta e kësaj.
Ramosaj në emisionin “Konfront” në KTV, ka thënë se në të kaluarën, opozita e tanishme ishin gjithmonë e gatshëm për kompromise, mirëpo e tillë nuk është sot.
Sipas tij partitë opozitare e kopjuan pjesën më të keqe dhe antisistem të LVV-së e cila në emër të kësaj kauze edhe i fitoi zgjedhjet.
“Erdhëm deri në atë situatë që i morën votat njerëzit antisistem, ranë insitucionalistët që donin me çdo kusht të mbrojnë sistemin. Çka është shumë interesante është që njerëzit të cilët deri dje ishin antisistem dhe në emër të kauzës së tyre antisistem fituan zgjedhjet, sot i hodhën në pozitë antisistem opozitën. Partitë politike që deri dje ishin të përkushtuara për sistemin për të ndërtuar institucionet, kopjuan anën më të keqe antisistem nga partia në pushtet që është tani dhe sjelljet e tyre vetëm kanë ndërruar pozitat”, ka thënë Ramosaj.