Inspektorati Policor i Kosovës në bazë të informacioneve se zyrtarët policorë për arsye të ndryshme nuk i gjobisin kundërvajtësit për shkeljet që i kanë kryer, ka kryer një inspektim.
Bëhet e ditur se inspektimi ka vënë në pah se ka dobësi në pasqyrimin e të dhënave në gjoba në raport me shkeljet dhe që këto sjellin dyshime se mund të abuzohet gjatë kryerjes së detyrës zyrtare.
Gjatë krahasimit të të dhënave në gjoba dhe atyre të regjistruara në radar gjatë inspektimit janë hasur katër natyra të mospërputhjeve: Shpejtësia e lëvizjes së mjetit e përshkruar në gjobë është më e ulët se ajo e regjistruar në radar (në 55 nga 84 mostra/gjoba); Shpejtësia e kufizuar në radar ndryshon nga ajo e regjistruar në gjobë (në 23 nga 84 mostra), Lloji i shkeljes në gjobë ndryshon nga ajo e matur me radar (në 3 nga 84 mostra), Shqiptohet gjobë për tejkalim të shpejtësisë në bazë të një neni (paragrafi) jo adekuat të ligjit (në 3 nga 84 mostra).
“IPK në kuadër të Raportit ka dhënë shtatë rekomandime, që kanë të bëjnë me nevojën e nxjerrjes së një udhëzuesi lidhur me përdorimin e pajisjeve për matjen e shpejtësisë së lëvizjes, mbajtjen e një trajnimi shtesë për të pajisur personelin me njohuri të mjaftueshme, ushtrimit të kontrolleve në drejtim të eliminimit të dobësive sa i përket vendosjes së të dhënave në pajisjet e matjes, ushtrimit të kontrolleve në drejtim të eliminimit të praktikave të dëmshme gjatë shqiptimit të gjobave për kundërvajtje, përdorimit efektiv të automjeteve me pajisje inteligjente, monitorimit të procesit të shkarkimit dhe ruajtjes së materialeve të regjistruara nga pajisjet, aplikimit të praktikës së printimit të kundërvajtjeve”, thuhet në njoftim.