Arbëri

Ish-koloneli i FSK-së: Prej vitesh ka pasur shqetësime sigurie nga Serbia, vetëm tani po merren seriozisht

Ish-koloneli i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Hysen Gecaj, ka theksuar se çështja e sigurisë në veri të vendit nuk është e re, por ka qenë një shqetësim i vazhdueshëm që shpesh është injoruar nga udhëheqësit politikë në Prishtinë teksa komentoi deklaratat e gjeneralmajorit të ushtrisë italiane, Enrico Barduani e ato të presidentes Vjosa Osmani.

Sipas tij, Serbia ka ushtruar presione dhe ka gjeneruar tensione që prej kohësh, duke bërë që situata të mbetet e brishtë.

Gecaj thotë se reagimi i institucioneve të Kosovës shpesh ka qenë i vonuar dhe jo në nivelin e duhur. Si shembull thotë se deklaratat e presidentes Osmani për kërcënimet nga Serbia janë të sakta, por të vonuara, pasi kjo çështje nuk është trajtuar me prioritet nga udhëheqësit politikë deri në këtë fazë.

“Joserioziteti në menaxhim ka sjellë pasoja jo vetëm në fushën e sigurisë, por edhe në atë ekonomike. Kosova përballet me sanksione nga Bashkimi Evropian, me ngecje në zhvillim dhe me një ikje masive të të rinjve. Këto probleme lidhen drejtpërdrejt me mungesën e një vizioni të qartë politik dhe me moskoordinim të mjaftueshëm me aleatët ndërkombëtarë”, ka paralajmëruar ai në “60 Minuta” të KTV-së.

Duke folur për rrezikun e eskalimit në veri, Gecaj kujtoi se që para tri ose katër vjetësh ka pasur indikacione të qarta për tensione të mundshme, por ato nuk janë trajtuar me seriozitetin e nevojshëm nga politika. Sipas tij, udhëheqësit do të duhej të ishin të parët që ta kuptonin këtë rrezik dhe të vepronin më herët, në vend se të prisnin për t’u ballafaquar me pasoja të rënda.

Ai nënvizoi se Kosova ende nuk i ka mbyllur të gjitha çështjet e hapura me Serbinë dhe se për t’i arritur qëllimet shtetërore është e domosdoshme që veprimet të bëhen në bashkëpunim të ngushtë me aleatët amerikanë dhe evropianë.