Arbëri

Ish-sekretari dhe ish-shefi i prokurimit të MI-së lirohen nga akuzat për korrupsion

Xhelil Bekteshi

Në rigjykimin e rastit për korrupsion janë liruar Xhelil Bekteshi, ish-sekretari i Ministrisë së Infrastrukturës dhe ish-drejtori i Prokurimit, Besim Tahiri. Vendimin e shpalli kryetarja e trupit gjykues e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Fatime Dërmaku, e cila tha se nuk është vërtetuar fajësia e të pandehurve.

Me aktakuzën e vitit 2018 Prokuroria Themelore në Prishtinë pretendon se Xhelil Bekteshi, në pozitën e sekretarit të përgjithshëm të Ministrisë së Infrastrukturës, si dhe Besim Tahiri, në pozitën e ushtruesit të detyrës së drejtorit në Divizionin e Prokurimit në këtë ministri i kanë tejkaluar detyrat e tyre zyrtare.

Pjesë e aktakuzës ndaj tyre është edhe Naim Sallahu. Pronari i kompanisë Sallahu ka lidhur marrëveshje për pranimin e fajësisë me prokurorinë duke u dënuar me 6 muaj burgim, dënim ky që gjykata ia zëvendësoi me gjobë.

Në shkallë të parë, Tahiri u dënua me dy vjet burgim, ndërsa Bekteshi me dy vjet burgim. Prokuroria Themelore në Prishtinë pretendon se ata e kanë keqpërdorur pozitën zyrtare duke e favorizuar kompaninë Sallahu në një proces prokurimi që lidhej me zgjerimin e segmentit Gjurgjicë-Kijevë, duke e eliminuar një operator tjetër me çmim më të ulët.