Dëshmitari James Peter Covey, i cili ka qenë zëvendës i përfaqësuesit të OKB-së në Kosovë, Bernard Kouchner, deklaroi  të mërkurën në Hagë se Hashim Thaçi është njohur si drejtues politik.

Këtë deklaratë, Covey e dha kur iu prezantua një video, e cila tregonte për prezencën e Thaçit në Rahovec, raporton “Betimi për Drejtësi“.

“Njihej si drejtues politik”, tha Covey për Thaçin.

Fillimisht, dëshmitarit iu shfaq një video në të cilën një zë dëgjohej duke thënë se “Më mijëra janë mbledhur në qytezën e Rahovecit për të përshëndetur Thaçin”.

Po ashtu, në video thuhej se “Thaçi ishte drejtuesi politik i UÇK-së dhe aktualisht shqiptari më i njohur i Kosovës”. Gjithashtu thuhej se në Rahovec kur Thaçi kishte shkuar ishin rreth 300 ushtarë me uniforma të UÇK-së dhe aty u përkujtuan të rënët e UÇK-së.

Në video, thuhej gjithashtu se Thaçi ftonte për tolerancë ndëretnike, por turma nuk ishte e gatshme ta dëgjonte thirrjen.

Sipas prokurores Vega Iodice, kjo ka ndodhur në korrik të 1999-ës por dëshmitari pyeti se a ka ndodhur më 17 korrik, gjë e cila iu pohua. Covey tha se kjo ka ndodhur dy ditë pasi kishte shkuar ai në Kosovë.

“Nuk më kujtohet mirë”, shtoi ai.

Dëshmitari gjatë dëshmisë së tij u pyet se ka dëgjuar ndonjëherë për betejën e Llapushnikut. Lidhur me këtë, ai tha se nuk i kujtohet si ngjarje.

“Nuk më kujtohet mirë”, u përgjigj edhe kur u pyet se a ka dijeni për paradën e UÇK-së që është organizuar në Prishtinë më 18 shtator 1999.

Më pas, dëshmitarit Covey iu tregua një video lidhur me këtë paradë. Video ishte në gjuhën gjermane. Ai evidentoi Thaçin dhe Agim Çekun në videon që iu prezantua nga prokurorja.

“Më duket se zoti Thaçi. Më duket se pranë tij është edhe gjeneral Çeku”, tha Covey.


James Covey mohon se ka dijeni për rolin e Azem Sylës dhe Sokol Bashotës në UÇK

Dëshmitari James Peter Covey në vazhdimin e dëshmisë në Hagë ka mohuar se ka dijeni për rolin që kanë pasur Azem Syla dhe Sokol Bashota në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës.

Këtë përgjigje, dëshmitari e dha duke u përgjigjur në pyetjet e prokurores Vega Iodice, raporton “Betimi për Drejtësi“.

Dëshmitari tha se nuk e ka ditur se kur është shfaqur për herë të parë UÇK-ja. Ngjashëm ai u përgjigj edhe kur u pyet për rregulloret e UÇK-së.

“Nuk besoj”, u përgjigj dëshmitari kur u pyet se a ka dijeni për ndonjë urdhër të UÇK-së.

Veç kësaj, Covey mohoi se ka dijeni për ndonjë shkëmbim të të burgosurve në janar të vitit 1999.

“Jo! Nuk kam dijeni. Në atë kohë nuk kam qenë i përfshirë në këtë. Kam punuar në Universitetin e Mbrojtjes Kombëtare”, tha ndër tjerash dëshmitari duke treguar se ka punuar në një libër që do shfrytëzohej për eficencë të armëve.

“Nuk isha i përqendruar në ngjarjet në Kosovë. Nuk i kam ndjekur siç i kam ndjekur kur kam punuar në Këshillin e Sigurisë Kombëtare. Kështu që jo është përgjigja se nuk kam dijeni”, tha dëshmitari.

 

Covey thotë se nuk i ka dokumentuar krimet që pretendohet se janë kryer nga anëtarë të UÇK-së

52 min. më parë / 1 tet 2025 14:31
James Covey

Dëshmitari James Peter Covey deklaroi se krimet që pretendoheshin se janë kryer nga UÇK-ja nuk i ka dokumentuar vetë. Megjithatë, ai tha se ka qenë mjaft i përhapur raportimi për ngjarje të tilla kriminale.

Kjo deklaratë e dëshmitarit erdhi pasi iu prezantua një libër i tij, në të cilin, siç lexoi prokurorja Vega Iodice, thuhej se “kur trupat e NATO-s filluan që të arrijnë në fund të qershorit 1999, rreth 100 civilë vriteshin çdo javë- kryesisht serbë. UÇK-ja i quante serbët që ishin të përfshirë në luftë dhe kolaboracionistë që ishin në mes grupeve etnike të tjera; veçanërisht romët dhe turqit, por edhe shqiptarët etnik që konsideroheshin thjesht si bashkëpunëtorë me pushtuesin serb”.

Sipas prokurores, në këtë libër thuhet se ekstremistët e UÇK-së përdornin dhunë dhe terror për të dëbuar serbët jashtë Kosovës, raporton “Betimi për Drejtësi“.

Dëshmitari Covey pohoi se pjesa e parë duhet t’i referohet pjesës së dytë, ku kjo situatë ishte vetëm nga ekstremistët e UÇK-së.

Më pas, atij iu prezantua një dokument i Departamentit Amerikan të Shtetit për Malin e Zi dhe Serbinë lidhur me të drejtat e njeriut. Sipas prokurores, ky dokument është i vitit 1998 dhe është përgatitur në janar të 1999-ës.

Ky dokument, sipas saj, thotë se elementë të UÇK-së kanë kryer vrasje, kanë qenë përgjegjës për zhdukje, kanë rrëmbyer dhe mbajtur në ndalim policë serbë si dhe civilë serbë dhe shqiptarë që dyshoheshin që janë bashkëpunëtorë të Serbisë. Sipas dokumentit, në raste të izoluara ata kanë gjykuar pa proces ligjor të duhur. Si dhe, thuhet që ka pasur raporte për raste torturash.

Dëshmitari tha se këtë dokument nuk e ka parë kurrë.

“Këtë dokument nuk e kam parë kurrë. Ato që përshkruhen në këtë paragraf ishin dhe po e vë në thonjëza “diçka që e dinin të gjithë”. Por, nuk kam qenë i përfshirë në procesin e dokumentimit të rasteve konkrete dhe individuale”, tha ai.

Më pas, i njëjti raport sipas prokurores flet edhe për ndalimin që UÇK-ja pretendohet se ua ka bërë 13 anëtarëve të delegacionit të partive shqiptare në Qirez për dy ditë.

Sipas prokurores Iodice, raportohet se këta persona janë torturuar gjatë kohës sa ka qenë të ndaluar.

“Siç e thash, ky lloj raportimi ka qenë i përhapur. Por, po e përsëris, jam i shqetësuar nëse kjo ka ndonjë lidhje me përfundimet që kam shprehur unë në deklaratë”, u shpreh Covey.

“Nuk mendoj që është diçka për të cilën duhet të shqetësoheni. Vetëm jepni përgjigje të vërteta dhe të sakta”, tha prokurorja.

Më kërkesë të prokurores, pasi nuk pati kundërshtime, ky dokument u pranua në prova materiale.

Një pjesë e seancës kaloi në sesion privat për publikun, pasi do të trajtohej informacioni i një dokumenti konfidencial.

Dëshmitari- Prokurorisë: S’po ndihem mirë mbi bazën se si po ndërtohen pyetjet

3 o. më parë / 1 tet 2025 11:51
Jock  Covey

Dëshmitari i mbrojtjes, James Peter Covey ka thënë para Gjykatës Speciale të mërkurën se nuk po ndihet rehat me një linjë të pyetjeve të Prokurorisë lidhur me dekretin e emërimit të Agim Çekut.

“Nuk jam në dijeni të një deklarate të tillë. Por, përsëri po e them që unë nuk jam rehat dhe nuk ndihem mirë për bazën se si po ndërtohen pyetjet që mund të bëhen. Duket sikur prokurori po përpiqet që të vërtetojë si fakt gjëra që në një mënyrë mbështesin vlerësime- gjykime që janë shprehur në një deklaratë në libër. Mendoj që kjo është keqkuptim i rolit të diplomatit dhe se si ne arrijmë në vlerësimet që japim”, tha ai, raporton “Betimi për Drejtësi“.

Përpara kësaj, dëshmitari u pyet se a e ka parë dekretin për emërimin e Çekut si Komandant i Përgjithshëm. Si rrjedhojë, dëshmitari Covey bëri komentin që u ndalua nga trupi gjykues.

“Nuk jam i sigurt që pajtohem me arsyen dhe bazën për këtë mënyrë të paraqitjes së pyetjeve”, tha Covey.

Megjithatë, dëshmitari tha se nuk beson që e ka parë këtë dekret.

“Nuk besoj”, u përgjigj shkurt ai, duke shtuar se nuk beson që e ka ditur se kush e ka nxjerrë atë dekret.

Covey: S’e dija rolin e Thaçit në Rambuje, s’e di as kush e themeloi UÇK-në

4 o. më parë / 1 tet 2025 11:06
James Peter Covey

James Peter Covey, ish-zëvendës i përfaqësuesit të OKB-së në Kosovë, Bernard Kouchner

Dëshmitari James Peter Covey gjatë dëshmisë së tij në Hagë, të mërkurën tha se nuk e di se kush ishin themeluesit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) dhe se nuk ka dijeni se cili ishte roli i Hashim Thaçit gjatë Marrëveshjes së Rambujesë dhe se në çfarë cilësie ishte ftuar.

“Nga historia e di se në përfundim të Rambujesë, ai (Thaçi) ishte caktuar si kryeministër i Qeverisë së Përkohshme. Unë siç e thash isha i përfshirë në Universitet dhe nuk e di se në çfarë cilësie ishte ftuar apo cili ka qenë roli i tij gjatë diskutimeve të mbajtura në Rambuje”, tha Covey, raporton “Betimi për Drejtësi“.

Covey deklaroi se e ka ditur se Thaçi ishte ai që ka nënshkruar Marrëveshjen e Rambujese. Përveç kësaj, Covey mohoi se ka dijeni se kush ishin themeluesit e UÇK-së.

“Nuk mund të them që kam dijeni”, tha dëshmitari kur u pyet se a e dinte për rolin e LPK-së për formimin e UÇK-së.

Dëshmitari tha se ka pasur dijeni për sulmin ndaj familjes Jashari. Ndërkaq, mohoi të ketë dijeni për ushtarët që iu bashkuan UÇK-së në pranverën dhe verën e vitit 1998.

Ai tha se nuk ka dëgjuar edhe për marrjen e minierës në Bardh të Madh në UÇK-ja dhe nuk e di nëse Thaçi ka qenë ndonjëherë atje.