Kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK), Rrahman Jasharaj, ka thënë se s’do të ketë veprime sindikale derisa të formohen institucionet e reja të Kosovës.
Jasharaj në emisionin “Sot” në KTV tha se shpreson që qeveria e ardhshme të mos jetë si Qeveria Kurti 2, të cilën e akuzoi se nuk i dëgjon fare palët tjera.
Ai ka thënë se shpreson që qeveria e ardhshme ta dëgjojë zërin e sindikatave e të ulet të bisedojë me to.
“Uroj të vijë një qeveri që do ta dëgjojë zërin e sindikatave, e të ulët të diskutojë me to. Do të provojmë prapë për një kohë me dialog që t’i realizojmë kërkesat. Nëse dialogu s’jep fryt, atëherë i mbetet këshillit drejtues të shohë se cilat veprime sindikale do t’i marrim. Këshilli drejtues ka marrë vendim se veprime sindikale s’do të ketë para se të formohen institucionet e reja. Ne do të provojmë me qeverinë e re t'i zgjidhim çështjet me dialog. Çështja kyç është kontrata kolektive, pastaj insistojmë të rritet vlera e koeficientit, të ketë kushte më të mira të punës, e jo të vazhdohet me kushte që po punohet sot me shkumës e shpuzë, e me tekste që po vonohen”, tha Jasharaj.
Ai ka thënë se është krijuar përshtypje se mësimdhënësit kanë orar më të shkurtër të punës, por kjo nuk qëndron.
“Sa i takon pagës, do të thosha shkurtimisht, paga të jetë sa e marrin kolegët tanë në Shqipëri bie fjala, e të mos shkojmë më larg në vendet evropiane...Është krijuar bindje se punëtorët e arsimit kanë orar më të shkurtër, por po ju them se kjo nuk qëndron. Vërtetë kanë 20 orë mësim, por i kanë të parapara edhe 15 orë për t’u përgatitur për orët mësimore e 5 orë komunikim me prindër e nxënës”.
Ai ka thënë se edhe pushimet më të gjata, ato janë për nxënësit, pasi mësimdhënësit paraqiten në shkolla. Jasharaj ka shtuar se shkollat në Kosovë, në përgjithësi, nuk janë të shekullit XXI.
“Mësimdhënësit, kudo që janë, japin maksimumin. Varet prej kushteve e rrethanave...Gjithmonë mësimdhënësi mundohet të japë kontributin maksimal. Shkollat në Kosovë në përgjithësi nuk janë shkolla të shekullit XXI. Ende punohet me shkumës, shpuzë, e tabela. E me tekste shkollore që tre vjet po kemi telashe”, tha Jasharaj.