Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Joseph: Përgjegjësinë kryesore për zgjidhjen e ngërçit politik e ka Kurti

Edward Joseph

Profesori amerikan, Edward P. Joseph, ka vlerësuar se përgjegjësia për zgjidhjen e ngërçit politik në Kosovë u takon të gjithë liderëve politikë, duke theksuar se qytetarët duhet t’i ndëshkojnë ata nëse nuk arrijnë të gjejnë konsensus.

Joseph ka deklaruar se përgjegjësinë kryesore për zgjidhjen e situatës e ka kryeministri në detyrë, Albin Kurti, për shkak të shumicës që kontrollon në Kuvend, por shtoi se përgjegjësia nuk bie vetëm mbi të.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

“Absolutisht. Ata duhet ta bëjnë këtë. Dhe nëse nuk e bëjnë, unë do të them këtë: Nëse liderët politikë dhe përsëri, po flas në shumës, nuk po them vetëm që Kryeministri Kurti ka përgjegjësi. Ai ka përgjegjësinë kryesore sepse kontrollon shumicën e votave në parlament, dhe ky është një vendim parlamentar, por të gjithë ata mbajnë përgjegjësi. Dhe votuesit, do ta them këtë, votuesit duhet t’i ndëshkojnë të gjithë liderët politikë që nuk gjejnë një konsensus, sepse kjo po e dëmton vendin”, ka thënë Joseph në një intervistë për Ekonomia Online.

Profesori amerikan foli edhe për raportet ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, duke e cilësuar pezullimin e dialogut strategjik si zhvillim negativ dhe duke theksuar se Qeveria e Kosovës ka humbur një mundësi të rëndësishme në raport me komunitetin serb.

“Po, ka dallime. Sigurisht, ishte shumë e keqe të shihje Shtetet e Bashkuara të pezullonin dialogun strategjik. Dhe kjo është një përforcim i mesazhit që dhashë, i cili është njohja e të gjithë qytetarëve në Kosovë, e të gjitha komuniteteve, përfshirë komunitetin serb, dhe mënyra se si qeveria i trajton ata. Dhe qeveria ka një mundësi të jashtëzakonshme dhe ka pasur një mundësi që nuk e ka shfrytëzuar që t’i thotë komunitetit serb të Kosovës: Kryeqyteti juaj është në Prishtinë. Prishtina kujdeset për ju. Beogradi nuk kujdeset për ju. Dhe ata e kanë humbur këtë mundësi”, u shpreh Joseph.

Ai komentoi edhe procesin në Dhomat e Specializuara në Hagë, duke thënë se nuk ka informacione të veçanta për rrjedhën e tij, por shprehu shqetësimin se mund të ekzistojë një motivim, i vetëdijshëm ose i pavetëdijshëm, për të nxjerrë një vendim dënues ndaj të akuzuarve.

“Në rregull, sigurisht, unë nuk kam asnjë informacion të veçantë dhe askush nuk duhet të mendojë se kam. Jam si të gjithë të tjerët, thjesht po vëzhgoj. Do të thosha se jam i shqetësuar. Nuk do të bëj një parashikim, por jam i shqetësuar se mund të ketë, me vetëdije ose pa vetëdije, një motivim që kjo gjykatë të gjejë ndonjë dënim për të pandehurit. Sepse si mund ta justifikojnë ndryshe këtë proces shumëvjeçar dhe shumë të shtrenjtë, pagat e tyre të larta, stafin e tyre, gjithë atë mbështetje? Pra, ata kanë një buxhet të madh, dhe pastaj ju merrni ish presidentin Thaçi, e largoni nga detyra këtu dhe e çoni atje lart, dhe në fund nuk keni asgjë? Nuk ka asnjë dënim? Kështu që jam i shqetësuar se ky mund të jetë një motivim i vetëdijshëm ose i pavetëdijshëm”, ka deklaruar Joseph.

Aktgjykimi ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, do të shpallet më 16 shtator. Paraprakisht, data finale brenda së cilës pritej vendimi ishte 20 korriku.

Vendimi i Gjykatës Speciale për shtyrjen e shpalljes së vendimit në rastin ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), ka nxitur reagime të shumta.

Në reagimin e Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së është paralajmëruar edhe protestë.