Dekreti i presidentes për shpërndarjen e Kuvendit është vlerësuar si kundërkushtetues nga njohës të së drejtës, edhe pse Gjykata Kushtetuese nuk e ka thënë këtë shprehimisht në aktgjykimin e së mërkurës. Gjykata ka konstatuar se dekreti nuk ka prodhuar asnjë efekt juridik dhe i ka dhënë Kuvendit edhe 34 ditë shtesë për zgjedhjen e presidentit. Pas këtij vendimi, Presidenca dhe Vetëvendosje kanë dhënë interpretime të kundërta. Të dyja palët “shpallën fitoren”
Njohës të së drejtës kushtetuese vlerësojnë se dekreti i presidentes për shpërndarjen e Kuvendit ishte kundërkushtetues, ndonëse Gjykata Kushtetuese nuk e ka thënë këtë në mënyrë të drejtpërdrejtë në aktgjykimin e së mërkurës, me të cilin i ka dhënë Kuvendit edhe 34 ditë shtesë për zgjedhjen e presidentit.
Pas vendimit, të dyja palët kanë “shpallur fitore”.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoNë Presidencë kanë thënë se është konfirmuar që presidentja Vjosa Osmani kishte të drejtë me nxjerrjen e dekretit, pasi Gjykata e ka njohur si afat 30-ditëshin sipas nenit 86.2 të Kushtetutës.
Në Vetëvendosje, ndërkaq, kanë deklaruar se shfuqizimi i dekretit për shpërndarjen e Kuvendit vërteton pretendimet e tyre se ai ishte kundërkushtetues.
Profesori i së drejtës kushtetuese, Enver Hasani, është shprehur se aktgjykimi “reflekton njëfarë hezitimi të Gjykatës për ta kualifikuar drejtpërdrejt fenomenin e përshkruar”.
Kjo, sipas tij, për shkak të presionit që i është bërë Gjykatës vitin e kaluar.
“Gjykata ka theksuar se dekreti i presidentes së Republikës për shpërndarjen e Kuvendit nuk ka prodhuar asnjë efekt juridik. Kur një akt juridik nuk prodhon asnjë efekt juridik, atëherë kemi të bëjmë me pavlefshmëri absolute të aktit. Ky është një emërtim tjetër për të thënë se dekreti ka qenë tërësisht kundërkushtetues. Këtë nuk e ka thënë Gjykata për shkak të frikës dhe presionit që ka pasur vitin e kaluar dhe në raste të tjera”, ka thënë Hasani.
Edhe profesori i teorisë së shtetit dhe së drejtës, Flamur Hyseni, konsideron që dekreti i presidentes është kundërkushtetues.
“Gjykata nuk ka pasur për objekt trajtimin e çështjes së shkeljes së Kushtetutës në kuptimin e përgjithshëm. Ajo ka shqyrtuar kushtetutshmërinë e dekretit për shpërndarjen e Kuvendit dhe, në këtë drejtim, ka vendosur drejt. Dekreti ka qenë në kundërshtim me Kushtetutën, dhe kjo është konfirmuar nga Gjykata”, ka deklaruar Hyseni.
Profesori Hasani kanë thënë se palët e interesuara mund t’i drejtohen sërish Gjykatës Kushtetuese për të kërkuar interpretim nëse presidentja e ka shkelur Kushtetutën, pasi kjo nuk ka qenë objekt i këtij rasti.
Sipas tij, në një procedurë të tillë, Gjykata ka shtatë ditë afat për vendimmarrje.
“Në një procedurë të tillë, aktgjykimi i sotëm shërben si fakt dhe pala iniciuese duhet të arsyetojë saktë pse dhe si zonja Osmani ka shkelur Kushtetutën e Kosovës. Pra, thënë me fjalë të tjera, pala që nis një procedurë të tillë – 40 deputetë të Kuvendit të Kosovës – duhet të argumentojnë shkeljet kushtetuese që kanë qenë objekt shqyrtimi të aktgjykimit të sotëm”, ka thënë Hasani.
Më 6 mars presidentja Vjosa Osmani nxori dekret për shpërndarjen e Kuvendit, pasi një ditë më herët deputetët nuk arritën ta zgjedhin presidentin e ri, e që ishte dita e fundit sipas nenit 86 të Kushtetutës.
Më 9 mars Gjykata Kushtetuese vendosi masë të përkohshme ndaj këtij dekreti, teksa e ndaloi edhe punën e Kuvendit.
Me vendimin e së mërkurës, Kushtetuesja u ka dhënë kohë edhe 34 ditë deputetëve për të zgjedhur president të ri.