Arbëri

Kabashi e PDK-së: Qeveria Kurti përdori gjuhë agresive ndaj aleatëve

Besa Kabashi

Besa Kabashi nga Departamenti për siguri kombëtare brenda Partisë Demokratike të Kosovës ka deklaruar se në një periudhë kur bota nuk është stabile, Kosova duhet të pozicionohet qartë kah shtetet aleate.

Ajo ka deklaruar të hënën në “60 Minuta” të KTV-së që Qeveria Kurti gjatë qeverisjes ka përdorur gjuhë agresive dhe destruktive ndaj vendeve aleate, derisa shtoi se Qeveria është distancuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe nga shtetet evropiane.

“Kosova duhet tani, për shkak të asaj që po ndodh në botë, kemi një jostabilitet, Kosova s’ka mundësi të rrezikojë dhe të reflektojë mjegulli strategjike. Duhet të pozicionohet shumë qartë karshi aleatëve dhe të ketë vizion se cili është kontributi i Kosovës në mbrojtjen e përbashkët në në rajon dhe më gjerë. Çelësi i mbrojtjes së vendit është që Kosova të konsolidohet si vend. Kur rrezikohet demokracia, rrezikohet edhe siguria kombëtare”, ka thënë Kabashi.

Zyrtarja e PDK-së ka shtuar se institucionet e Kosovës kanë degraduar me qeverisjen Kurti.

“Kemi parë një degradim të institucioneve. Aventurat që janë bërë me aleatët dhe retorika agresive kundër aleatëve, e ka vendosur Kosovën në pozitë të disfavorshme dhe Kosova është më fragjile edhe në aspektin e brendshëm dhe të jashtëm”, ka shtuar ajo.

Sipas Kabashit, Serbia mbetet një prej kërcënueseve të Kosovës, por jo i vetme. Ajo tha se në të tilla raste, Kosova duhet të mbrohet me aleanca strategjike, “duke punuar ngushtë me Bashkimin Evropian, NATO-n dhe Shtetet e Bashkuara”.

..Kjo qeveri ka përdorur gjuhë agresive dhe është distancuar dhe e ka vendosur Kosovën në pozitë më të disfavorshme në raport me Serbinë...”, ka shtuar ajo.