Ligjëruesi i të drejtës kushtetuese, Ditar Kabashi, ka thënë se kriterin që kërkon 80 vota në dy rundet e para të zgjedhjes së presidentit, nuk e ka thënë Kushtetuta, por Gjykata Kushtetuese në aktgjykime të mëhershme.
Në emisionin “60 Minuta” në KTV, Kabashi ka thënë se po që se ndodh sërish një ngjarje e ngjashme si ajo e 28 prillit dhe rasti përfundon në Gjykatë Kushtetuese, atëherë “gjykata duhet t’i kthehet germës së Kushtetutës”.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoDy ditë më parë përfundoi afati kushtetues për zgjedhjen e presidentit. Në sallë nuk ishin 80 deputetë dhe vendi shkoi në zgjedhje të reja parlamentare. Kabashi e ka cilësuar këtë lajm jo të mirë për Kosovën dhe shoqërinë.
“Përpos mungesës së vullnetit politik, kësaj gjendjeje i ka shërbyer e trasuar rrugën edhe kriteri për kuorumin prej 80 votash në kuti në dy raundet e para”, ka thënë ai duke interpretuar më tej nenin për zgjedhjen e presidentit. “Kushtetuta e Kosovës kërkon që presidenti të zgjidhet nga Kuvendi dhe mund të votohet në tri runde. Për dy të parat Kushtetuta thotë që një president duhet t’i fitojë 80 vota për t’u zgjedhur president. Nëse nuk zgjidhet në dy raundet e para asnjëri kandidat, në rundin e tretë kërkohet shumica absolute. Pra që i bie 61 deputetë të Kuvendit mund ta zgjedhin presidentin”.
Megjithatë, sipas tij, gjithçka ndryshoi kur më 2011 Gjykata Kushtetuese konstatoi shkelje në rastin e zgjedhjes së Behgjet Pacollit president.
“Atë botë në aktgjykim thuhej se të gjithë deputetët, pra 120 deputetë, duhet të votojnë, minus ata që marrin leje paraprakisht nga kryetari i Kuvendit për ndonjë arsye të madhe që mund të justifikohet për mungesën e tyre dhe kështu zoti Pacolli e humbi edhe mandatin e presidentit sepse u konstatua se nuk ishte zgjedhur në mënyrë juridike të duhur”, ka shtuar Kabashi.
E sipas tij, më 2015, ky kriter “u zbut” në 80 vota të nevojshme.
“Më 2015, Kushtetuesja prapë e ka trajtuar këtë çështjen e kuorumit dhe atë botë kishte thënë se në dy raundet e para meqenëse kërkohen 80 vota për t’u zgjedhur presidenti, minimumi 80 deputetë duhet të votojnë. Pra të jenë 80 fletëvotime në kuti të votimit pavarësisht sa deputetë mund të jenë në sallë. Mund të jenë 120 në sallë, por nëse nuk e shfrytëzojnë të drejtën e votimit situata mund të ngatërrohet. Por e ka ulur në të paktën 80. Fjala është për dy raundet e para”, ka thënë më tej Kabashi.
Megjithatë, sipas tij, Kushtetuesja në disa raste të tjera ka potencuar se s’ka mekanizëm në duart e saj që t’i detyrojë deputetët të jenë në sallë në rastin e zgjedhjes së presidentit.
“Mandatin e lirë e garanton neni 70 paragrafi i parë i Kushtetutës që thotë se deputetët nuk i nënshtrohen asnjë mandati detyrues ndërkaq në anën tjetër thotë që 2/3 e deputetëve duhet patjetër të votojnë që të konsiderohet i ligjshëm proceduralisht votimi për presidentin”, ka komentuar ai aktgjykimet e mëhershme. E sipas tij, bazimi në këto aktgjykime edhe në atë për çështjen e fundit të trajtuar nga Kushtetuesja, ka qenë i gabuar. “Gjykata s’mund t’i detyrojë të qëndrojnë në sallë. Por mendoj se edhe në aktgjykimin e fundit të datës 25 mars, gjykata nuk bëri mirë kur iu referua vendimit të 2015-s për 2/3 e deputetëve që duhet të votojnë. Mendoj se duhet të respektohet germa e Kushtetutës, pra ajo që shkruhet që është e qartë. Kushtetuta është e qartë sa i përket kuorumit. Neni 69 paragrafi 3 thotë që seancat kanë kuorum kur janë të pranishëm më shumë se gjysma e të gjithë deputetëve. Pra 61 deputetë”, ka deklaruar më tej ai.
Kabashi ka thënë se po që se një rast i ngjashëm shkon në Gjykatë, ajo mund të riafirmojë mendimin apo precedentin e ndërtuar më herët, apo edhe duhet të pranojë kuorumin prej 61 deputetësh për zhvillim të seancës për zgjedhjen e presidentit.
“Nëse do të ishin më tepër se 61 dhe jo 80 çfarë do të ndodhte. Do të organizohej rundi i parë, dhe nuk do të mund të zgjidhej por do të shkonte në rundin e dytë. Kriter është t’i fitojë 80 vota e jo doemos të votojnë 80 deputetë. Këtë e ka thënë Gjykata, por këtë s’po e thotë Kushtetuta”, ka thënë ai.
Kabashi në fund ka thënë se ngërçi që mund të shkaktohet në raste të tilla mund të ketë pasoja të rënda për shtetin, duke vënë theksin te numri i gjyqtarëve në Gjykatën Kushtetuese.
“Ne sot kemi Kuvend të shpërndarë, zyrën e presidentes me ushtruese detyre, qeveri në detyrë... Ne sot aktualisht kemi 7 gjyqtarë në Gjykatën Kushtetuese dhe numri 7 është numri minimal për të funksionuar gjykata. Prej 9 gjyqtarëve, shtatë duhet të jenë. Nëse sonte jep dorëheqje njëri apo sëmuret apo ndodh diçka, do të mbesim me gjashtë dhe me gjashtë nuk ka Gjykatë funksionale. Kush do ta kontrollojë kushtetutshmërinë e ndonjë akti potencial që mund të jetë kundërkushtetues nga ndonjë organ shtetëror”, ka pyetur ai duke e cilësuar si kritike gjendjen në të cilën ka ardhur Kosova për një post që sipas tij nuk ka kompetenca të tilla që të bëhet e gjithë kjo zhurmë.