Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Kosova voton më 7 qershor

Albulena Haxhiu

Foto: Driton Paçarada

Ushtruesja e detyrës së presidentit, Albulena Haxhiu, e ka shpallur 7 qershorin si datë për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare. Vendimi i Haxhiut u mor pas takimit që pati me liderë dhe përfaqësues të partive politike, të cilët thanë se janë mobilizuar për rezultat sa më të mirë

Shtetasit e Kosovës me të drejtë vote do t’u drejtohen kutive të votimit më 7 qershor. Të enjten, ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, e ka caktuar këtë datë për të organizuar zgjedhjet e parakohshme parlamentare, pas shpërndarjes së legjislaturës së dhjetë që u bë me automatizëm meqë nuk arriti që në afat kushtetues ta zgjedhë presidentin e ri.

Haxhiu dekretoi datën për zgjedhje, pas takimit me përfaqësues të partive politike. Ajo korrespondon me të dielën e fundit, brenda intervalit 45-ditor, kur mund të organizohen zgjedhjet e parakohshme.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

“Zgjedhjet për Kuvendin e Republikës së Kosovës do të mbahen me 07.06.2026”, thuhet në pikën e parë të vendimit. “Udhëzohet Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i Republikës së Kosovës t’i ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për organizimin dhe mbajtjen e zgjedhjeve për Kuvendin e Republikës së Kosovës në përputhje me këtë vendim dhe legjislacionin në fuqi”, vijohet në pikën pasuese.

KQZ-ja nuk do të jetë në përbërje të plotë, gjatë organizimit të këtij procesi. Kjo për shkak se Lëvizja Vetëvendosje (LVV) pretendon ta ketë anëtarin e tretë në këtë institucion, ndërsa Partia Demokratike (PDK) të dytin.

Meqë Gjykata Kushtetuese refuzoi t’i japë përgjigje ish-presidentes Vjosa Osmani, në lidhje me këtë kontest, vendim nuk ka marrë as Haxhiu.

Sipas ushtrueses së detyrës së presidentes, përbërja jo e plotë e KQZ-së, nuk përbën kurrfarë problemi për punën e institucionit që organizon zgjedhjet.

“Dje dëgjova që thanë se do të kontestohet procesi zgjedhor e kështu me radhë për shkak të një anëtari, por unë ju kam njoftuar se i kam dy kërkesa: kërkesën e PDK-së dhe atë të Lëvizjes Vetëvendosje! për të emëruar anëtarët e tyre, anëtarin e fundit në këtë komision. Për këtë çështje kam pasur mendim edhe më herët, fuqia politike, proporcionaliteti dhe përfaqësimi janë parime që nuk duhet t’i mohoj askush. Duke qenë se tashmë kanë kaluar të gjitha afatet, mendoj se një proces kushtetues i nisur nga Presidentja Osmani-Sadriu është dashur të përmbyllet nga vetë ajo, por kjo nuk ka ndodhur dhe tani të gjitha afatet kanë kaluar. Jam në trajtim të kësaj çështje dhe do të veproj në përputhje me përgjegjësitë, por të jeni të sigurt që me 10 anëtarë në KQZ asgjë nuk rrezikohet, as certifikimi i partive, as certifikimi i rezultatit zgjedhor dhe asgjë tjetër”, ka thënë Haxhiu, pas takimit me përfaqësues të partive politike.

Të mërkurën përfaqësues të PDK-së i bënë thirrje Haxhiut që ta emërojë propozimin e dytë të kësaj partie, si anëtarin e 11-të. 

Mirëpo këtë pozitë e synon edhe Vetëvendosje, e cila i ka kërkuar Haxhiut që në KQZ të përfaqësohet me 3 anëtarë. 

Në përbërjen e shkuar LVV-ja kishte dy anëtarë, PDK-ja dy, LDK-ja një, AAK-ja një dhe parti të tjera të komuniteteve me nga një.

E pas takimit me Haxhiun, përfaqësues të partive kanë folur edhe për mobilizimin për zgjedhjet.
Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, deklaroi se nuk përjashton mundësinë që në listën zgjedhore ta përfshijë edhe Nismën Socialdemokrate të Fatmir Limajt, por tha se gara do të bëhet nën siglën e PDK-së. 

“Partia Demokratike e Kosovës do të shkojë në zgjedhje si Partia Demokratike e Kosovës, brenda listës së PDK-së sigurisht se do te ketë edhe risi, edhe emra dhe figura të tjera”, ka thënë Hamza. “Ne jemi të përgatitur dhe të gatshëm të shkojmë në zgjedhje”.

E Jehona Lushkau-Sadriu, anëtare e kryesisë së Lidhjes Demokratike (LDK), tha se zgjedhjet e reja janë mundësi që vendit t’i ofrohet qeveri që përkujdeset për qytetarët. 

Ajo ka thënë se kjo parti ka hapur dyert për bashkim për të gjithë ata që i “kanë vlerat tradicionale të LDK-së”, kur u pyet për mundësinë që Agim Veliu të kthehet në LDK.

“LDK-ja me gjithë traditën e saj, është shtëpi e madhe, i ka hapur dyert për bashkim të të gjithë atyre që në të vërtetë besojnë në vlerat tradicionale të Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe në këtë rast dyert janë të hapura dhe besoj se të gjithë do të jemi të bashkuar”, ka thënë Lushaku. 

Ajo është ankuar për “mobilizim për ta linçuar LDK-në”.

“Ne kemi qenë dëshmitarë që mbrëmë në mesnatë ka pasur një fushatë ndaj LDK-së. Me gjasë disa eksponentë që po udhëheqin propagandë ndaj LDK-së kanë gjeneruar posterë të ndryshëm në gjuhën serbe, kanë dhënë deklarata për dorëheqje brenda LDK-së... Deri tash nuk ka absolutisht”, ka thënë Lushaku. “Po vërehet që ka një mobilizim për ta linçuar LDK-në. Normalisht kur ka lëvizje pozitive, kur dashakeqët e vërejnë që ka potencial për rritje të një partie politike dhe mund të jetë kundërshtare e denjë, ata vihen në lëvizje për të bërë të tilla gjëra”.

E kryetari i Komunës së Gjakovës, Ardian Gjini, ka njoftuar se ai do t’i prijë listës së Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) në zgjedhjet e parakohshme dhe njëkohësisht do të jetë kandidati i kësaj partie për kryeministër.

Ramush Haradinaj ka deklaruar muaj më parë se më nuk do të rikandidojë për pozitën e kryetarit të AAK-së, dhe ka theksuar se kandidat për këtë pozitë do të jetë Gjini.

E, njeriu që pritet t’i prijë listës së AAK-së ka thënë se gara e partisë nuk do të jetë për ta kapur pragun elektoral prej 5 për qind.

“Aleanca është duke u bërë gati për një betejë dhe kjo betejë nuk ka të bëjë me prag dhe kurrgjë tjetër. Beteja ka të bëjë që me ia dhënë Kosovës një qeveri normale, një qeveri që i ka fjalët e buta e punët serioze, e të serta. Deri tash kemi parë fjalë të forta e punë hiç”, ka thënë Gjini.

Të mërkurën Kuvendi është shpërndarë pasi dështoi ta zgjedhë presidentin brenda afatit kushtetues. Zgjedhjet e 7 qershorit do të jenë të tretat parlamentare brenda 16 muajve.